Gati gjysma e Shqipërisë të premten mbeti pa ujë të pijshëm. Ashtu siç kishte parlajmëruar, kompania CEZ ndërpreu në mëngjes energjinë elektrike në ujësjellësat e 18 qyteteve dhe qindra fshatrave, duke i lënë ato pa ujë të pijshëm.

Pa energji mbeten edhe pompat e rrjetit të ujërave të zeza. Qytetet e penalizuara ishin Durrësi, Kavaja, Elbasani, Kurbini, Vlora, Saranda, Fushë Kruja, Lezha, Memaliaj, Patosi, Përmeti, Fieri, Lushnja, Skrapari, Peqini, Korça, Kuçova dhe Berati.

Kompania CEZ njoftoi se borxhi ndaj saj është 38 milionë euro. Ndërkohë që ky aksion i kompanisë është shoqëruar me reagimin kundërshtues të policisë.

Në Sarandë, Vlorë, Fier dhe Lushnje, policia ka ndërhyrë duke shoqëruar dhjetra punonjës të kompanisë çeke dhe duke i detyruar ata të ritakojnë rrjetin. Në Fier 6 punonjës të CEZ janë dërguar nga policia për ndjekje penale me akuzën e vetëgjyqësisë.

Pak orë pas ndërprerjes së energjisë u njoftua se në Fier, Roskovec, Sarandë, Vlorë dhe Durrës është rikthyer furnizimi me ndërhyrjen direkte të forcave të rendit. Drejtuesit e ujësjellësave kanë bërë padi penale për kompaninë CEZ.

Gjatë orëve të pasdites energjia u kthye edhe në ujësjellësin e Elbasanit. Gjatë ditës situata ka qenë kaotike në të gjitha zonat ku u ndërpre energjia elektrike, pasi në krah të drejtuesve të pushtetit vendor, drejtuesve të ujësjellësave dhe banorëve që u prekën nga ndërprerja e furnizimit me ujë, ka qenë edhe Policia e Shtetit me porosi të Ministrisë së Brendshme.

Qeveria: CEZ të heqë dorë nga vendimi ekstrem

 

Qeveria ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kompanisë CEZ duke e quajtur atë një atentet kombëtar. Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave kërkoi që kompania të heqë dorë nga vendimi ekstrem dhe të rikthejë energjine, duke kujtuar se ashtu siç ndermarrjet i kanë borxhe CEZ-it, edhe vete CEZ-i u ka borxhe kompanive te tjera.

“Qëndrimi i Qeverisë shqiptare dhe i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës në lidhje me këtë veprim, konsiderohet si një akt i paprecedentë, i cili kompromenton rëndë sigurinë e qytetarëve, sigurinë publike dhe për më tepër sigurinë kombëtare të vendit. Ky veprim i tejskajshëm i CEZ-it kompromenton rëndë gjithashtu dhe misionin e kësaj kompanie për të përmbushur një detyrim publik jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe jetik për qytetarët. Tashmë nuk kemi të bëjmë më me një penalizim kolektiv të CEZ ndaj një komuniteti banorësh, të cilët në një moment të caktuar dhe mund të mos kenë përmbushur detyrimet e tyre ndaj kompanisë, kemi të bëjmë me një penalizim kombëtar që CEZ-i po kryen dhe po ushtron aktualisht”, tha zëevendësministri i METE-s, Sokol Dervishaj.

“Përpara jush është një marrëveshje që është miratuar në shkurt nga Qeveria shqiptare, marrëveshje e lidhur ndërmjet Qeverisë dhe CEZ-it, kur kjo e fundit kishte mundësinë, që duke zbatuar atë cfarë ka marrë përsipër, të shlyente detyrimet me borxhet që ka ndaj kompanisë KESH. Ishte pikërisht CEZ-i që refuzoi ta zbatonte këtë marrëveshje. Vazhdimisht kemi insistuar dhe kemi thënë, që ajo që çfarë kompanitë publike shqiptare kanë në CEZ është dhjetëra herë më e lartë se sa debia që pretendon CEZ ndaj ujësjellësave. CEZ-i pretendon detyrimet e kamatëvonesave për fatura të paguara më vonë që i takojnë vitit 2007, 2008 apo 2009. Ka marrë principalin përpara shumë kohëve dhe tani kërkon kamatëvonesat. E para ligji është i qartë që nuk mund t’i ndërpritet energjia dikujt për kamatëvonesat. Kamatëvonesa është një kusht penal, është një kusht civil që zgjidhet në Gjykatë ndërmjet palëve”, tha zëvendësministri i Financave Alfred Rrushaj.

PS akuzon Qeverinë

Partia Socialiste tha se edhe pse Qeveria u mori grantet pushtetit vendor për llogari të ujësjellësave sërish situata nuk u normalizua.

Për situatën e krijuar ka reaguar sërish të premten deputeti Arben Ahmetaj.

“Shqiptaret moren nje lajm te hidhur nga CEZ dhe qeveria shqiptare. CEZ dhe qeveria kane vendosur t’i lene shqiptaret edhe pa uje perveçse pa drita 24 ore.Jo me larg se nje muaj me pare, Saliu mori nga arkat e bashkive plot 1,2 miliard lek, gjoja per te paguar borxhin e ujesjellesave ndaj CEZ. Sot, nje muaj me pas, pyetja eshte: Ku shkuan keto para, perderisa sot CEZ dhe qeveria bashkepronare me te vendosi te nderprese funrizimin me energji te ujesjellsave? Cuarja e policise per te rivene ne pune me dhune ujesjellesat eshte nje teater banal. Policet i con qeveria dhe ujin e nderpret nje kompani shperndarjeje ku vete qeveria eshte bashkepronare. Ky eshte teatri banal i nje vendi ku shteti eshte bere copa e cika nga keqqeverisja”, tha Ahmetaj.

FRD: Qeveria e zhytur në korrupsion

Fryma e RE Demokratike ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj mënyrës se si po zhvillohen ngjarjet në vend në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm.

Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Stavri Ristani,  drejtues i Departamentit të Infrastrukturës dhe  ish-zëvendësministër i Punëve Publike u shpreh se me masën e marrë nga CEZ popullsia e ketyre zonave ku është ndërprerë furnizimi, por edhe spitalet, kopshtet, çerdhet e fëmijëve, institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, nuk do të kenë furnizim me mallin më jetik, ujin e pijshëm.

“Pavarësisht veprimit të paralajmëruar nga kompania CEZ, ndërprerja e energjisë dhe, për pasojë edhe e ujit të pijshëm, është një dëshmi e qartë e dështimit të qeverisë në reformat në sektorin energjitik dhe të ujit të pijshëm”, tha Ristani.

Ristani theksoi se Qeveria shqiptare, e zhytur totalisht në korrupsion dhe pa-aftësi, po i lë qytetarët shqiptarë pa energji dhe ujë të pijshëm, duke iu mohuar atyre këto të drejta dhe nevoja bazike për jetën.

Top Channel