Anëtarësimi i qindra të rinjve të Elbasanit në Forumin rinor të Partisë Demoratike ishte aktitviteti i parë ku kryeministri Sali Berisha pranoi se fushata elektorale ka nisur.
Por, megjithëse i kushtoi vëmendje kryesore angazhimit të të rinjve në fushatën e PD, kryeministri nuk anashakaloi aktualitetin politik, kur përsëriti ftesën ndaj kreut të opozitës Edi Rama që të mbajë premtimin e firmosur në marrëveshjen e nëntorit për të votuar ligjet e integrimit europian të vendit.
“Zoti Rama ka harruar zotimin e tij. Uroj që t’i kujtohet, të rikthehet dhe të votojë. Sikundër e siguroj se verdikti i shqiptarëve mbi të, në qoftë se u bllokon rrugën e integrimit, do të jetë njëlloj me Vaterlonë e viteve ‘91 që shqiptarët iu treguan etërve te Edi Ramës. Do të ketë një humbje më të thellën se 22 viteve të fundit, se humbjen e ka të sigurt në çdo variant”, deklaroi Berisha.
Në fjalimin para të rinjve të Elbasanit, për më shumë se 1 orë kryeministri Berisha u fokusua në ato që i cilësoi si premtimet e mëdha të realizuara gjatë dy mandateve të qeverisjes së tij, anëtarësimin në NATO, lëvizjen pa viza në Europë, modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen pozitive ekonomike.
Sipas kryeministrit, nëse qeveria e tij nuk do të kishte ndërmarrë reformat e duhura ekonomike dhe fiskale, Shqipëria do të ishte në krizë, njësoj si vendet e tjera fqinje, ku papunësia është rritur kërcënueshëm dhe rrogat e pensionet janë ulur ndjeshëm.
“E vërteta është se në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, rrogat dhe pensionet jo vetëm që nuk u ulën, por u rritën në mënyrën më të vazhdueshme. Dhe do të vazhdojnë të rriten për sa kohë shqiptarët do të votojnë Partinë Demokratike, qeverisjen e saj”, tha Berisha.
Në takimin me të rinjtë e Elbasanit, kryeministri Berisha zbuloi edhe një pjesë të strategjisë elektorale të Partisë Demokratike për një mandat të tretë, një strategji që kërkon besimin e shqiptarëve duke vënë në dukje premtimet e mbajtura, por edhe gabimet e qeverisjes.
“Është në detyrimin tonë të bëjmë një dialog me qytetarë shqiptarë, larg idesë se ne nuk kemi bërë gabime, larg idesë se ne nuk kemi të meta, larg idesë se ne nuk kemi gjëra për të korrigjuar. Ndaj dhe ne e duam dialogun, ndaj dhe ne duam debatin, ndaj dhe ne duam të dëgjojmë zërin e qytetarëve. Ne kërkojmë mandatin e ardhshëm për të shndërruar Shqipërinë në vend të zhvilluar”, shtoi Berisha.
Top Channel