Në djall integrimi!

14/11/2012 00:00

ARTAN MULLAJ – Opozita gjendet përballë një sprove. Të lëshojë pe në
çështjen e Fierit, për të mirën e vendit, apo të ngulë këmbë në të
sajën? Afatet e vëna dhe presioni i ndërkombëtarëve e bën këtë sprovë
edhe më çjerrëse.

Vetë Edi Rama është pranë një vendimi sublim, që me sa duket, do të ndikojë zhvillimet e ardhshme të karrierës së tij dhe politikës shqiptare.

***

Po të kthejmë kokën pas, do të shohim një opozitë të ndrojtur, por konstruktive. Në kulmin e autoritetit të tij si një lider që di të frymëzojë, Edi Rama doli nga korniza e imponuar e tranzicionit, për të bërë një opozitë të butë liberale. Kur plasi Gërdeci, ndryshe nga ç’do kishte bërë një politikan tradicional dhe ndryshe nga ç’pritej, në vend të shpërthente opozitën dhe gjithë vendin në një protestë përmbysëse kundër korrupsionit shtetëror që vrau njerëz të pafajshëm, ai i shërbeu si militant i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. U vetëpërmbajt. A bëri gjënë e duhur? Natyrisht. Pakkush mund të besojë se kryetari i opozitës do mund të ishte sjellë më arsyeshëm se sa qetësia despotike me të cilën e pranoi, gëlltiti dhe duroi Gërdecin.

Kur në vitin 2009, siç pritej, Berisha, si pelivani me kapuç të bardhë në përrallat e Charl Stve, vodhi zgjedhjet e përgjithshme, opozita, interferuar dilemave të saj, zgjodhi të protestojë në rrugë me turmat e pashpresa të shqiptarëve të zhgënjyer nga makutëria e një pushteti të vjedhur për të vjedhur. Ishte në të drejtën e saj. Valë-valë ajo e finalizoi zemërimin me grevën kolektive të urisë. 200 politikanë të ngujuar ishin një goditje e fortë psikologjike për një vend që edhe pa greva urie ishte dhe është i dërrmuar! Dy vjet protesta e bojkot, opozita, që kishte treguar një integritet të qartë perëndimor ndaj çështjes së Gërdecit, rrezikonte të kundërtën në opinionin e ndërkombëtarëve. Është i njohur presioni i vazhdueshëm i tyre ndaj saj për të ndaluar bojkotin, edhe pse bojkoti kishte për qëllim diçka mjaft sublime, siç është integriteti i procesit zgjedhor, si kualitet apo si kusht themelor i një demokracie. Me koston e lartë të humbjes së besimit në një pjesë të mirë të elektoratit, opozita e Edi Ramës bëri tërheqjen zhgënjyese në momentin e fundit, duke e shkëmbyer shpirtin, dhimbjen dhe frymën e grevës së urisë me një paqe ironie në një restorant dëshpërimi, ku për liderët shqiptarë do të servirej mish i egër nga alpet e ngrira të Europës.

21 Janari, më shumë se një protestë e dhunshme kundër një regjimi bastard dhe të hallakatur, mund të quhej më pas një revolucion shpirtëror. Nëse do të ishte e mundur të matej zemërimi i heshtur i popullit opozitar, flakë të tilla vështirë të ketë pasur në historinë botërore. Shpirtrat vajtuan gjatë dhimbjen e shpagimit të pabërë. Por ashtu si shpërthimi, edhe shuarja e këtij zemërimi, ditë pas dite, u tretën në atmosferë, dhe do të ishin harruar fare sikur shteti të mos kish qëlluar e vrarë barbarisht, çmendurisht, poshtërsisht 4 qytetarë të pafajshëm në sheshin e krimit kryeministror.

Këto janë momente që realisht duhet t’i kishin ndihmuar ndërkombëtarët, që si palë e tretë, dhe si palë gjykuese, të merrnin edhe ata vendimin për të mos qenë kaq të paqartë me Shqipërinë. Shpërthimi i Gërdecit, vjedhja e zgjedhjeve, 21 Janari, korrupsioni qeveritar, të gjitha këto ngjarje që dëshmojnë degradimin e frikshëm të demokracisë në Shqipëri dhe kapjen e shtetit dhe sidomos mungesën e drejtësisë, janë të mjaftueshme që të justifikonin thënien qartë të së vërtetës prej tyre. Ndërkombëtarët e panë me sytë e tyre se si pushteti i Berishës rrëmbeu me thonj fitoren e brishtë të Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës. E jetuan vetë, i prekën votat e vjedhura me sy, ishin pranë katastrofës institucionale që krijonte ballazi terrori i shtetit. Por asnjëherë nuk zgjodhën të flisnin troç edhe qartë. Me sa duket, ata kanë zgjedhur të vëzhgojnë pa konstatuar. Si murgj manastiresh, ata moralizojnë, por asnjëherë nuk thonë çfarë mendojnë realisht. As për çështjen e Fierit.

 

***

Qesharake, absurde, e pabesueshme çështja e Qarkut të Fierit. Madje është edhe më përbuzëse dhe poshtëruese se grabitja e Bashkisë së Tiranës. Sepse nëse për Tiranën u sajua alibia e votave të hedhura gabim, fitorja e socialistëve në Qarkun e Fierit ishte dhe është e qartë si drita e diellit. Edhe për këtë shkak, çështja e Fierit, në arenë, nuk është thjesht një betejë drejtësie. Shtrohet pyetja: A duhet të tërhiqet Edi Rama me opozitën ndërkohë që edhe pas odisesë së turpshme në seanca gjyqësore, me vendime gjykate, Qarku i Fierit i takon përsëri opozitës? A duhet të tërhiqet opozita momentin e fundit për hir të integrimit dhe të shkojë të votojë me mazhorancën ligjet e reformës për një drejtësi që nuk ka drejtësi? A duhet bërë një sakrificë e tillë, e fundit, për hir të interesit kombëtar?

Jo! Është pak të mendosh se kjo nuk do të ishte sakrificë e opozitës, por një KATASTROFË e saj. Madje, do të ishte një humbje historike jo thjesht e vetëm për të. Me çështjen e Fierit në tryezë, Edi Rama sot ka në dorë fatin e “së drejtës” në Shqipëri. Shkulmin, frymën popullore, të ardhmen e saj. Do ta shuajë, apo do ta ndezë rrufe për t’i dhënë fund muzgut haxhiqamilist të shqiptarëve? Kjo do të varet pikërisht nga vendimi për Fierin. A duhet ta djegë jorganin për një plesht? Absolutisht jo. Vetëm se jorgani në këtë rast nuk është integrimi, është Fieri. Të kuptohemi. Jo Fieri si problem, si qark, si një çështje administrative pushteti lokal. Por Fieri si çështje drejtësie. Fieri si vizion. Më shumë se një qark, më shumë se një çështje, më shumë se një përplasje politike, Fieri mbart brenda vetes krijimin e një simboli. Krijimin e simbolit të ndershmërisë! Fieri mbart kauzën e drejtësisë që do ta fusë atë në histori, ashtu si ngritja e flamurit në Vlorë, e futi Vlorën në histori. Çështja e Fierit duhet të shikohet si momenti i vënies së gurit themeltar të shtetit ligjor. Mbi të do të fillojë të ngrihet ngrehina e ardhshme e tij, sipas parimeve të demokracisë, që sot Edi Rama premton t’u afrojë shqiptarëve kur të vijë në pushtet. Le të jetë Fieri sakrifica e parë, drejtësia e parë, pa kushte, pa marrëveshje, pa ndotje, pa ndërhyrje të huajsh. Mos ndoshta të huajt, në heshtje, pikërisht të njëjtën gjë duan? Që të mos lëshohet terren në Fier?! Kemi nevojë për këtë fillim, qoftë edhe me dhimbje. Ta bëjmë me krenari këtë hap të vështirë. Opozita nuk ka pushtet tjetër se sa të imponojë këtë gjë të mrekullueshme si shpresa: zbatimin konsekuent të ligjit dhe vendimeve të drejtësisë. Fieri do të ketë madhështinë të mbahet mend për krijimin e kultit të parë serioz në Shqipëri të normalitetit. Do të tregojë se asgjë nuk vlen më shumë për një vend sa drejtësia që kur zbatohet, prodhon liri për qytetarin e thjeshtë. Shyqyr Zotit që gjërat erdhën kështu dhe opozita ka këtë fuqi kushtëzuese ndaj mazhorancës që kjo të fillojë të respektojë më në fund vendimet e gjykatave në vend. Opozita e ka zbutur si shumë shpinën e saj, duke shtruar kurrizin për gjithçka kërkon Kryeministri i vendit. Lëshoi pe në Gërdec. Liroi rripin në zgjedhjet e shkuara parlamentare. E holloi mjaft verën e saj më 21 Janar. E dhuroi Bashkinë e Tiranës dhe të gjitha këto për të mirën e vendit, që nuk erdhi kurrë. Boll më! Boll më! Boll më! E ç’na duhet integrimi në Europë, kur nuk kemi integritet brenda nesh. Askush nuk ka për t’i vënë flakën vetes nëse hyjmë një, dy apo pesë vjet me vonesë në Europë. Kurse për drejtësi të shëndetshme po, njerëzit shndërrohen në pishtarë të gjallë. E kemi ende në retinën e syve flakën e pashuar të Lirak Bejkos.

Nëse të mirë të një vendi quajmë shpërfilljen e drejtësisë, atëherë në djall integrimi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA