Babai merr përsipër vrasjen e biznesmenit

14/11/2012 00:00

“E vrava pasi më ofendoi rëndë, duke më sharë nga vajza. Në këtë moment
nuk durova dot më dhe shkova e mora armën me të cilën e qëllova në
gjaknxehtësi e sipër. Nuk kisha plan ta vrisja, por nuk arrita ta
kapërdija sharjen ndaj vajzës sime të vetme. Ishim konfliktuar edhe më
parë me njëri-tjetrin, por nuk kishim shkëmbyer ofendime të tilla”.

Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë gjyqësore 49-vjeçari Gëzim Sulo, fqinji i biznesmenit të hidrokarbureve Naim Suli, i cili u ekzekutua në derën e shtëpisë së tij mbrëmjen e së shtunës, duke pranuar autorësinë e krimit e duke treguar versionin e tij të ngjarjes. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime konfidenciale të policisë, të cilat sqaruan se janë duke hetuar lidhur me vërtetësinë e deklarimeve të të prangosurit Gëzim Sulo, si dhe të dy djemve të tij, Ervisin 22-vjeçar dhe Endrin 20 vjeç, pasi dyshohet se babai po merr përsipër krimin, me qëllim që të shpëtojë dy bijtë e tij.

Dëshmia në polici

Gjatë deklarimeve të tij, 49-vjeçari Gëzim Sulo ka përjashtuar të bijtë nga përgjegjësia penale, duke ia atribuuar gjithçka vetes së tij. Sipas burimeve të sipërcituara, Gëzimi e ka pranuar autorësinë dhe ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke treguar edhe detaje për motivin e ngjarjes. Gazeta ka siguruar të dhëna mbi dëshminë e të arrestuarit, i cili ka pretenduar se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. “Dihet që ne kemi pasur konflikte të mëparshme me Naimin, pasi ai kërkonte që ne të zhvendosnim biznesin tonë. Madje, para një viti jemi konfliktuar duke u goditur me njëri-tjetrin. Por, pas rreth dy muajsh nga ngjarja e atëhershme, vetë Naimi së bashku me familjarët e tij kërkuan pajtim, duke na ardhur në shtëpi dhe ne ramë dakord. Madje, për disa kohë e lëshuam me qira pikën e servisit. Por para pak kohësh u rikthyem të punonim sërish vetë, pasi kishim nevojë për më shumë të ardhura. Ai na ankohej gjithmonë se bezdisej nga fakti se ne punonim aty dhe kërkonte që të largoheshim. Por ne jetojmë me atë biznes. Mbrëmjen e së shtunës, ai u kthye në shtëpi dhe unë me djemtë po punonim kur ai sërish u kap me fjalë me ne. Filloi të ofendonte dhe më tha fjalë të rënda edhe për vajzën. Në këtë moment nuk durova dot më dhe mora automatikun dhe qëllova me të e më pas u largova së bashku me djemtë. Djemtë nuk janë të përzierë në vrasje. Gjithçka e bëra unë në gjaknxehtësi e sipër”. Kështu mësohet të jetë shprehur para hetuesve 49-vjeçari Gëzim Sulo. Më tej, ai ka shtuar se armën e ka hedhur në lumin Shkumbin. Që prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm, policia dhe palombarë janë duke kërkuar në ujërat e lumit Shkumbin për të gjetur armën “Kallashnikov” me të cilën u krye vrasja.

Top Channel