SKËNDER MINXHOZI – Në Portin e Patras njoftohet se është ankoruar tashmë
anija norvegjeze, e cila do të kryejë operacionet e studimit të zonave
detare ku mendohet se ka hidrokarbure. Fjala është për Jonin verior dhe
detin e Kretës, ku supozohet se mund të ketë një sasi të madhe nafte e
gazi. Anija do të nisë kërkimet nga Joni verior. Pra, në pragun e
shtëpisë tonë.
Politika greke e ka shoqëruar këtë lëvizje me “sqarimet” e rastit. Ministri i Jashtëm Avramopullos, një zyrtar që ka mbi krye të tjera halle nga ai i marrëveshjes detare në vendin tonë, gjeti megjithatë kohën dhe mënyrën për të na dhënë të kuptojmë edhe një herë, se Greqia po kërkon të ndjekë politikën e faktit të kryer, pasi nuk ia doli të merrte në dorë një akord të shkruar e të vulosur me Tiranën zyrtare. Ministri tha se “politika e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke, është caktimi i zonave detare, përshirë zonat ekskluzive ekonomike, me fqinjët… Zonja dhe zotërinj, kjo është një politikë që do të pasohet nga veprime konkrete dhe që do të shfrytëzojë pasurinë e territorit grek në tokë dhe në det”. Më qartë se kaq, zor të gjendet. Pra, sipas Avramopullos, do të shfrytëzohet “pasuria e territorit grek, në tokë dhe në det”.
Megjithëse tashmë kjo deklaratë ka shkaktuar një skizofreni deklaratash pasuese në Shqipëri, është koha për t’u sforcuar për pak më shumë transparencë në gjithë këtë aferë. Dhe ajo që ka për detyrë institucionale të bëjë transparencën në këto kushte, është qeveria shqiptare. Para se ta paragjykojmë palën greke se po fillon shpimet në ujërat tona territoriale, kemi të paktën detyrën që të interesohemi konkretisht, për të parë nëse kjo po ndodh me të vërtetë. Duhet të dimë, kemi të drejtën të dimë nga shteti ynë, se ku po kërkon naftë fqinji ynë jugor! Në territorin e tij, apo matanë gardhit të fqinjit! E këtë, më mirë sesa qeveria shqiptare, bartëse dhe ekzekutuese e integritetit tonë territorial, askush tjetër s’mund ta bëjë.
Çfarë po shohim përballë kësaj nevoje urgjente? Po shohim një kakofoni deklaratash, një amulli totale qëndrimesh, ku s’e merr vesh i pari të dytin. Ministri i Jashtëm duket se e konsideron të mbaruar misionin e tij, pas përmendjes me gjysmë zëri të çështjes çame. Një gjest që dukej më shumë i kërkuar nga PDIU-ja pranë Metës, për hir të afrimitetit aktual, sesa një lëvizje e menduar. Nga ana tjetër, Kryeministri, i cili nuk lë rast pa dalë para videos, e neglizhon totalisht këtë çështje, a thua se flitet për territorin e Madagaskarit, e jo të Shqipërisë. Qeveria shqiptare duhet të marrë përsipër përgjegjësinë që i imponon Kushtetuta e Shqipërisë. Ashtu siç Greqia ka një qeveri, e cila lufton për interesat e saj, ashtu edhe vendi ynë meriton një palë përfaqësuese, e cila të avancojë dhe të mbrojë interesat e tij.
Dosja përvëluese e detit me Greqinë ka një valencë të madhe politike. Qysh sot ka një kuriozitet të madh për atë që konsiderohet si votë patriotike në zgjedhjet e ardhshme. Një komponent i ri në fushatën që po vjen, për sa kohë që perceptohet një qasje dhe një interes i ndryshëm i opinionit publik për temat e nxehta me rezonancë kombëtare. E ndër to, problemi i marrëveshjes detare me Greqinë zë një vend të privilegjuar. Forcat e reja politike, si Aleanca Kuqezi dhe FRD-ja, por formalisht edhe PDIU-ja, kanë ndërtuar një oponencë të dukshme ndaj linjës zyrtare, kryesisht për sa u përket marrëdhënieve me Athinën. Është interesante të vihet re sesi ky panel konsensusi qytetar që ekziston rreth këtyre partive, për linjën e fortë nacionaliste, do të përkthehet në vota konkrete në verën e ardhshme. Përmasat e fenomenit, në një vend ku sondazhet janë tabu, janë objektivisht të vështira për t’u perceptuar. Gjithsesi ai mbetet në vetvete qysh tani, një nga risitë potenciale të votimeve të vitit 2013.
Përbën një fatalitet të sojit të tij fakti që këtë 100-vjetor të Pavarësisë, ne përballemi me një rrezik potencial të prekjes së integritetit tonë territorial. Përtej folklorit nacionalist dhe frymës shovene, e cila, për hir të së vërtetës, vihet re kryesisht në politikën greke (sjellja e deputetëve të Agimit të Artë në varrezat ushtarake në Boboshticë ishte vetëm akti i fundit i forcës), problemi i marrëveshjes detare është një minë lundruese, e cila mund të helmojë marrëdhëniet dypalëshe për shumë vite të tjera. Juridikisht nuk ka një marrëveshje detare me palën greke. Për pasojë duhet verifikuar me shumë kujdes nga autoritetet zyrtare, që të mos ketë një fillim të kërkimeve për naftë nga pala greke, në ujërat territoriale që konsiderohen sensitive për ne.
Defekti i madh që ngre krye në këtë moment, është se përballë qëndrimit të qartë grek për të avancuar në logjikën e tij imponuese, gjendet një shtet totalisht i deligjitimuar, në këtë rast, ai shqiptar, firma e të cilit u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, e që nuk ushtron as transparencën minimale ndaj qytetarëve të vet, për këtë problem të përmasave kombëtare. Dobësia, pasiviteti dhe amullia ku ndodhet Tirana zyrtare në këtë histori (për të mos thënë diçka më të rëndë), shënjon edhe pozitën inferiore që ka Shqipëria në këtë aferë tejet delikate dhe me pasoja potencialisht të rënda. Një pjesë e madhe e opinionit publik nuk i beson më qeverisë, sa i përket marrëveshjes detare me Greqinë. Dhe me plot të drejtë, pasi qeveria shqiptare ishte bashkësponsorizuese e një akordi që u provua se i falte në mënyrë abuzive palës greke mbi 300 kilometra katrorë hapësirë detare. Kjo është pozitë e mjerueshme, në një situatë kur kërkohet më shumë se kurrë qëndrim i vendosur dhe i drejtë. Dy cilësi që në Tiranë nuk i zotërojnë. Të paktën jo ata që qeverisin.
Top Channel