MUSTAFA NANO – Në konventën e LSI-së, Ilir Meta foli për një bashkëpunim
me partinë e çamëve. Ishte fjala për një bashkëpunim ad hoc, d.m.th.
për çështjen çame, por “ledhatimi” i PDIU-së në konventën e LSI-së u
interpretua si një përpjekje për të krijuar një pol të tretë në
politikën shqiptare disa muaj para zgjedhjeve.
Dikush mund ta ketë marrë këtë interpretim si një lexim të sforcuar të deklaratës së Metës, por gjasat janë që ideja e bashkëpunimit paraelektoral LSI-PDIU të jetë pjekur e kopsitur me kohë e me vakt. Eksponentë të LSI-së vijojnë të thonë se janë duke shqyrtuar të gjitha opsionet (Nasip Naço është shprehur për televizionin AS, se “jemi të hapur për të tria opsionet elektorale: 1. të hyjmë me PD-në, pasi të bëjmë një vlerësim të koalicionit 2009-2013; 2. të hyjmë me PS-në; 3. të hyjmë në krye të një poli të tretë”), por në mendje duhet të kenë vetëm një opsion, atë të aleancës me çamët. Dhe në terma praktikë s’e kanë keq. Secili prej nesh, me fare pak mend në kokë, do të bënte të njëjtat llogari në vend të tyre; e me logjikën e tyre.
Dalja më vete e LSI-së nuk jep asnjë garanci. Një numër komentatorësh politikë janë të idesë se LSI-stët e kanë copën e tyre në byrekun elektoral, dhe kjo copë, sipas këtyre komentatorëve, i lejon ata të futen në Parlament. Nuk është se s’kanë të drejtë. LSI-ja është një parti e pastër klienteliste, dhe kjo do të thotë se kjo parti nuk mbetet kurrë pa gjë, sido që të sillet e çfarëdo që të bëjë. Mirëpo, votat klienteliste në rastin më të mirë mbeten tek 4-5-6 përqindëshi, gjë që e përkthyer në peshë parlamentare do të thotë 1-4 vende. Rrjedhimisht, natyra klienteliste e ndërtimit dhe e funksionimit të partisë e mban LSI-në vazhdimisht në lojë, por e mban prore të parëndësishme. E mban të parëndësishme edhe në rrethanat kur një parti me 1-4 deputetë rezulton të jetë një king-maker.
Rruga e dytë do të ishte një koalicion paraelektoral me PD-në, apo PS-në, i cili do të mund të negociohej në mënyrë shumë inteligjente nga ana e LSI-së. Berisha e Rama janë në hall, e mund t’i ofronin Metës aq sa ky do të donte, fjala vjen 5-6 deputetë të sigurt, por këta deputetë të marrë me ndihmën e partive të mëdha nuk do t’i jepnin kësaj partie asnjë peshë politike më tepër. Përkundrazi, do ta mbanin gjithë kohën të kompleksuar dhe pa asnjë rol në vendimmarrje. Gjatë katër viteve të fundit, Meta e të vetët kanë bërë çfarë kanë dashur, por ata s’kanë lënë asnjë gjurmë në qeverisje (kur them ‘gjurmë’, kam parasysh ndikimin politik në mazhorancë; ky ndikim politik ka qenë krejt i papërfillshëm; votat e tyre janë bërë tok me ato të Berishës në të gjitha rastet), dhe kjo gjë duket se Metën e mundon. Të vetmet gjeste “identiteti e rezistence” të Metës përballë Berishës kanë qenë të natyrës butaforike, d.m.th. kanë qenë festimi tok me opozitën i 29 Nëntorit, i 5 Majit, dhe ky i festimit të 100-vjetorit në Vlorë.
Aleanca me çamët, apo edhe me ndonjë parti tjetër të vogël, d.m.th. krijimi i një poli të tretë, ndonëse nuk ka për të bërë çudira, do të bëjë optimalizimin elektoral e politik të LSI-së e të PDIU-së. Në terma konkretë, i jep këtij grupi më shumë deputetë (ky pol mund të marrë deri në nëntë vende në Parlament), dhe krijon kushtet për një negocim “nga pozita më sovrane” të aleancës qeverisëse, ku ky pol do të ketë një zë më domethënës në vendimmarrje (kuptohet, përveç ‘patentës’ për të bërë plaçkë e për të pasur në dorë politika rekrutimi në administratë). Shkurt, në këtë mënyrë rriten elektoralisht e marrin peshë më të madhe politikisht.
Të gjithë këtë e dikton Kodi Elektoral, për të cilin Meta paradoksalisht nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndryshuar. Pse? Sepse ky kod, ndonëse penalizon partitë e vogla, evidenton e nënvizon nevojën për një king-maker. Një kod tjetër mund t’i jepte Metës më shumë deputetë, por mund t’ia hiqte të drejtën për të diktuar koalicione qeverisëse, e për të vënë nën presion partnerin e madh të koalicionit.
Po FRD-ja e AK-ja ç’do të bëjnë në këto rrethana? Është e çuditshme se si ato nuk e çojnë nëpër mend një bashkëpunim të tyrin elektoral. E njohin shumë mirë Kodin Elektoral, i dinë kurthet e këtij kodi për partitë e vogla e të reja, njohin dhe pamundësinë e tyre për të pasur nën mbikëqyrje procesin elektoral, e prapëseprapë janë duke këmbëngulur se do të dalin më vete. Duket si një arrogancë e ngritur në havá, pasi të dyja janë parti të paprovuara në beteja elektorale. Ndonjëra sosh, apo të dyja, mund të bëjnë sondazhe e mund të ledhatohen me to, por votimi ndryshon nga anketimi. Në muajt e fundit, para zgjedhjeve, situata politike do të ndizet shumë, si gjithnjë, dhe afërmendsh, preferencat elektorale të shprehura në telefon në kohë “paqeje”, siç është koha e sotme, do të duken si trille për t’u braktisur fët e fët përballë nevojës e apelit për votim “strategjik e historik”.
FRD-ja duket më në hall në këtë histori. Ajo ka vetëm një plan ‘A’, sipas të cilit do të hyjë e vetme në zgjedhje kundër të gjithëve, dhe në rrethanat kur AK-ja do të luajë edhe me planin ‘B’, d.m.th. kur do t’i japë dum punës duke u bërë tok me PS-në (në qoftë se!), FRD-së do t’i bëhen gjërat tmerrësisht të vështira. Garimi “më vete e për vete” edhe mund të bëjë që FRD-ja të shihet si një alternativë serioze kundër “të vjetrës” e kundër “sistemit”, e për këtë arsye mund të mbështetet nga zgjedhësit më shumë se sa pritet, por ajo ka një disavantazh të madh. Kur flitet për kontrollin e monitorimin e procesit zgjedhor, ajo s’ka “voce in capitolo”. Është një proces që e kontrollojnë të tjerët, ashtu siç kontrollojnë edhe resurset financiare e mediatike. Çfarë llogarish kanë bërë, atëherë? Nuk duket se kanë bërë ndonjë llogari. E nuk kanë se ç’llogari të bëjnë. Refuzimi që FRD-ja i bën një aleance me PS-në e me PD-në është një nga gjërat më të kuptueshme (një aleancë e tillë do t’ia merrte frymën pa lindur kësaj partie), dhe “këndi i madh i lodrave” nuk u ofron mundësira të tjera “argëtimi”. Duket sikur FRD-ja është e destinuar “të dalë më vete e për vete”.
Apo nuk është e thënë? Ka që mendojnë se ka ende kohë, në harkun e së cilës gjithçka mund të ndodhë. Të presim e të shohim.
Top Channel