“Shqip”, 100-vjetori i Pavarësisë

12/11/2012 00:00

Në këtë vit jubilar Top Channel ka sjellë dhe do të vazhdojë të sjellë në ditët në vijim programe dhe emisione me tematikë përvjetorin e Pavarësisë. Në këtë frymë edhe emisioni “Shqip” iu përkushtua këtij përvjetori, por në një këndvështrim më kritik mbi përgatitjet e qeverisë për të nderuar veprën e 100 viteve më parë të etërve të Kombit me Ismail Qemalin në krye.

Në studion e gazetares Rudina Xhunga ishin të ftuar dy historianët e mirënjohur, Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi dhe arkitekti e publicisti Artan Shkreli.

Në fjalën e hapjes historiani Paskal Milo falenderoi Top Channel për programacionin e larmishëm për këtë 100-vjetor, që për të ndoshta është më i vlefshëm se sa gjithë aktiviteti festues i qeverisë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Vlora emisionit “Shqip” iu bashkua edhe kryebashkiaku i këtij qyteti, Shpëtim Gjika. Zoti Gjika foli shkurtimisht për përgatitjet me rastin e 28 nëntorit të 100-të. Ai tha se Vlora ka nisur aktivitetet që në 24 janar të këtij viti.

“Festa është në Vlorë! Ne kemi nisur përgatitjet shumë më herët dhe Bashkia e Vlorës e ka hapur siparin e festimeve që më 24 janar me ceremonitë në nder të ditëlindjes dhe ditëvdekjes së Ismail Qemalit me një aktivitet që për të ardhur keq është bojkotuar nga drejtuesit e pushtetit qendror”, tha Gjika.

Sipas Gjikës kjo ishte shenja e parë e përpjekjeve për të ndarë festimet nga Vlora.

“Politika po helmon historinë. Kjo ka qenë përpjekja e parë për të ndarë festimet nga Vlora. S’e kisha menduar kurrë që politika të krijonte një çorientim të tillë të tipit më 27 apo 28 dhe në Vlorë apo në Tiranë. Epiqendra për datën 28 Nëntor e festimeve duhet të jetë Vlora, protokolli është i qartë për këtë”, tha Gjika.

Gjika tha se në ceremoninë e rastit, Bashkia e Vlorës është përgatitur zyrtarisht për datën 28 Nëntor duke respektuar protokollin, që nga mbërritja në Vlorë e Presidentit të Republikës, ngritjen e Flamurit, Himni Kombëtar e deri tek dreka e rastit që shtrohet nga bashkia.

Por sa është gati Vlora të presë festimet? Kryebashkiaku Gjika premtoi se Vlora do të jetë gati, por theksoi se kjo do të jetë me shumë dhimbje për shkak të fondeve.

“Vlora do të jetë gati më 28 Nëntor, por me shumë dhimbje. Vetëm një muaj më parë 900 mln lekë të vjetra, Ministria e Financave, me një akt të pamiratuar nga parlamenti ia zeroi Bashkisë së Vlorës dhe vetëm 39 mln lekë të reja kemi marrë nga qeveria, edhe këto të dhëna para 2 javësh, për të rehabilituar Sheshin e Flamurit”, tha Gjika duke shtuar se më 28 Nëntor pret që në Vlorë vec vizitorëve të ndryshëm të mbërrijnë edhe Ismail Kadare dhe Rexhep Qose, dy shkrimtarët që janë nderuar me titullin “Qytetarë Nderi”.

Ndërsa duke iu rikthyer përgatitjeve të qeverisë historiani dhe politikani Paskal Milo tha se po gabohet dhe sipas tij, gabimi më i madh mbetet me mbivlerësimin e figurës së Ahmet Zogut.

“Ahmet Zogu do të vijë në ditën kur është çliruar Tirana, kjo është kontraverse dhe zhvlerësohet lufta çlirimtare me sjelljen e eshtrave në të njëjtën ditë kur është çliruar Tirana.”, tha zoti Milo.

Në pjesën e tretë të tij, “Shqip” solli për teleshikuesin një dokumentar mbi bashkëjetesën e ballkanasve brenda kufijve të Perandorisë Osmane e deri tek ngritja e forcimi i identiteve kombëtare me Luftën e Parë dhe të Dytë Ballkanike.

Top Channel