Nderohen të rënët britanikë

11/11/2012 19:30

Shqipëria është bërë pjesë e ceremonive botërore të organizuar nga Britania e Madhe në përkujtim të ushtarëve britanikë dhe atyre të Komonuellthit, që humbën jetën gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Krerët më lartë të shtetit kanë vendosur kurora me lule në nder të tyre.

Ndërsa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekoroi me Urdhërin e Shqiponjës së Artë pas vdekjes, 46 ushtarët britanikë që humbën jetën në vendin tonë.

“Në mirënjohje të aktit të tyre sublim, saktificës dhe jetës në emër të lirisë, paqes së popujve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ky ishte motivacioni i dekoratës, dorëzuar nga Bardh Spahia, sekretar i përgjithshëm i Presidencës.

Kolonel Bob Barnes, atashe ushtarak i ambasadës britanike, shpjegon rëndësinë që vendi tij i jep përkujtimit të të rënëve në luftë: “Në fund të Luftës së Dytë Botërore, ne krijuam një ceremoni në 11 Nëntor për të kujtuar të gjithë ushtarët e vrarë. Që nga fundi i Luftës së Parë Botërore, çdo 11 Nëntor ne zhvillojmë këtë ceremoni në të gjithë botën, duke kujtuar të gjithë ushtarët e rënë, jo vetëm ata gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Sot ne patëm një ceremoni me të vërtetë shumë të veçantë në Shqipëri, pasi kishim nderin të merrnim këtë vlerësim, në kujtim të sakrificave të ushtarëve britanikë dhe atyre australianë që vdiqën në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore. Sot është me të vërtetë një ditë e veçantë. Ne jemi krenar dhe të nderuar që marrim këtë dekoratë.”

Disa prej 46 ushtarëve ishin pilotë, avionët e të cilëve u bombarduan nga anijet fashiste teksa fluturonin mbi qytetin e Vlorës.

Top Channel