Bulqizë, tjetër minator i aksidentuar

08/11/2012 22:15

Përsëri një aksident i paralajmëruar në galeritë e Bulqizës, pas atij të ndodhur ditë më parë në Krastë të Martaneshit ku, nga shpërthimi i pakontrolluar i një granate, humbën jeten dy minatorët Vehbi Stafa dhe Ermal Elezi.

Këtë të enjte, i njëjti aksident ka ndodhur në një nga galeritë private të zones D, nga më të pasigurtat në këtë minierë. Si pasojë e shpërthimit të pakontrolluar të një granate është aksidentuar minatori Mynyr Velia, 65 vjeç, babai i katër fëmijëve.

Burime nga policia lokale bëjnë me dije se, pas mbarimit të turnit të parë, në tentativë për përgatitjen e frontit të punës për turnin e dytë, nga shpërthimi i parakohshëm i një granate, 65 vjeçari u aksidentua dhe për pasojë humbi njërin krah e dëmtoi njërin sy.

Ai u nxor menjëherë nga galeria, nga shokët e punës, dhe u dërgua në spitalin e Bulqizës. Në mungesë të mjëkëve specialistë në këtë spital është kërkuar ardhja e helikopterit të urgjencës mjekësore, ku i plagosuri u transportua drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, për të marrë një mjekim të specializuar mjekësor.

Mësohet se minatori punonte te firma Tur-Alb, e cila e ka marrë me nënkontraktim një pjësë të zonës D, por këtë të enjte ai kishte shkuar të punonte te një tjetër firmë private, me punë si zjarrmëtar, ku edhe u plagos rëndë.

Në vendngjarje ka mberritur grupi i ekspertëve hetues të policisë gjyqësore, për zbardhjen e këtij aksidenti të rëndë.

Galeritë e zonës D në minierën e Bulqizës, ku dhe ka ndodhur ky aksident i rëndë, janë cilësuar nga specialistët si më të pasigurtat për punë. Por, përkundër këtij konstatimi, këtu ushtrojnë aktivitetin e tyre dhjetra firma private kromi, me dhe pa liçencë.

Top Channel