TAP, Haxhinasto pret homologun azer

07/11/2012 16:30

Projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, TAP, ishte në qendër të takimit që ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto pati me homologun e tij nga Azerbajxhani, Shahin Mustafayev.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë, në përfundim të takimit dy ministrat janë shprehur në mbështetje  të projektit.

Ministri Haxhinasto tha se tregu i gazit në vendin tonë ka potenciale të mëdha dhe se kompanitë azere janë të mirëpritura në Shqipëri.

Po ashtu, ai ftoi investitorët e Azerbajxhanit të investojnë në privatizimin dhe ndërtimin e hidrocentraleve, duke përmendur hapjen e tenderit për ndërtimin e hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Vjosë dhe hidrocentralin e Skavicës.

Nga ana e tij ministri Mustafayev tha se vendi i tij sheh mjaft mundësi investimi në Shqipëri dhe ftoi ministrin Haxhinasto për një vizitë në Azerbajxhan.

Më herët ministri Haxhinasto ishte i pranishëm në çeljen e Javës së CEFTA-s, me fokus në prioritet e presidencës shqiptare, lehtësimin e tregtisë dhe liberalizimin e tregut të shërbimeve.

Top Channel