Shpesh herë thuhet “një komb, një gjuhë, një shtet”. Por kjo shpesh herë është vetëm retorike dhe folklorizëm, e shumë pak veprime konkrete.

Kështu mendon Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë, i cili gjatë së martës publikoi hulumtumin për marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Shqipëri.

Ai përmendi disa raste ku nuk ka pasur veprime konkrete, si Porti i Shëngjinit, ndërtimi i linjës së interkonjeksionit, shfrytëzimi i kodit telefonik të Shqipërisë nga Kosova, e të tjera.

Ai gjithashtu përmendi ndërtimin e autostradës Kosovë-Shqipëri, që e cilësoi si një nga projektet më madhore që po realizohet, ndërsa paraqiti disa rekomandime.

“Kërkoj nga zyrtarët që të mos rrëmbehen nga folklorizmi dhe emocionet dhe që deklaratat që bëjnë të shoqërohen nga veprime konkrete dhe serioze. Të punohet për bzinesin, të mos ketë pengim të qarkullimit të mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës”, deklaroi Rexhepi.

I pranishëm në këtë prezantim të hulumtimit të OJQ-së STRAS ishte edhe zëvëndëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli. Gjatë vizitës së tij në Tiranë si president, ai kishte shpalosur idenë e tij për bashkimin ekonomik të shqiptarëve dhe edhe gjatë së martës këmbnguli se përse duhet të realizohet kjo ide.

“Krijimi i hapësirës mbarëkombëtare ekonomike është një nevojë për kombin tonë. Nëse duam të mbijetojmë, ne duhet të krijojmë treg dhe hapësira veprimi”, deklaroi Pacolli. Pacolli u shfaq kritik kur tha se deri më tani ka parë takime të dy kryeministrave, por nuk ka dëgjuar diçka konkrete.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, Andi Xhoi tha se është bërë përparim në realacionet ekonomike Kosovë-Shqipëri, ndonëse mbetet ende të punohet.

“Bashkëpunimin ekonomik Shqipëri-Kosovë ne e shohim si një dinamikë që po ecën në rrugën e duhur. Shkëmbimet në vitet e fundit janë 5-fishuar”, tha Xhoi.

Po ashtu, Xhoi paralajmëroi se së shpejti do të mblidhet komisioni i përbashkët ndërqeveritar Kosovë-Shqipëri, që do të përcillet me nënshkrimin e një protokolli ku ekonomia do të zërë vendin kryesor.

Top Channel