Ligji për administratën gjyqësore

03/11/2012 00:02

Gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave përjashtohen nga çështjet e administrimit të gjykatës, sipas një modeli spanjoll të sjellë nga misioni Euralius, në propozimet për projektligjin mbi administratën gjyqësore.

Këto kompetenca, sipas propozimeve në fjalë, i kalojnë kancelarit, i cili merr fuqi, duke u bërë eprori i drejtpërdrejtë i administratës, me të drejta pushteti që nga shpërndarja e çështjeve në gjykim, sipas hedhjes së shortit, e deri te përcaktimi i numrit të punonjësve, që duhen në gjykatë.

Këto propozime në fjalë rikthejnë sërish diskutimet ligjore për pozicionin e kancelarit në gjykata dhe sa vend i mbetet kryetarit të gjykatës, diskutime që përfunduan në 2008-n në Gjykatën Kushtetuese, teksa kjo e fundit shfuqizoi një nen të ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, në të cilin parashikohej që kancelari “emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës”.

Për këtë çështje, në propozimet e misionit Euralius, tentohet të mbushet boshllëku ligjor për administratën gjyqësore, ku kryetari i gjykatës ka detyrë të kontrollojë ecurinë e gjykimit të dosjeve, mos respektimin e etikës gjyqësore,  por në rast se kryetari konstaton mospërmbushje të administratës, ai i propozon kancelarit marrjen e masave të duhura.

Ministri Halimi u shpreh: “Më së fundi administratës gjyqësore po i jepet statusi që meriton, i cili e mbron, e përforcon dhe e garanton në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme në gjykatë, si barriera e parë e përplasjes së publikut me gjykatën. Është mëse e kuptueshme, që të gjitha këto janë ngushtësisht të lidhura, në radhë të parë me konsolidimin e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë, por edhe me rritjen e besueshmërisë së këtij operatori te sytë dhe mentaliteti i qytetarëve, të cilët përgjigjen e parë të halleve të tyre e kërkojnë nga administrata gjyqësore. Reforma e administratës gjyqësore, është një nga çelësat kryesorë të forcimit të besimit të publikut te drejtësia”.

Në këtë projektligj propozohet që kancelari i gjykatës dhe gjithë administrata të marrë statusin e  nëpunësit civil të shërbimit gjyqësor, ku përfshihen kryesekretari gjyqësor, sekretari gjyqësor, sekretarët e seancës, koordinuesit e seancës gjyqësore.

Në këtë projektligj propozohen edhe kompetencat e ministrit të Drejtësisë në administratën gjyqësore, mes të cilave, ministri miraton rregulloren e brendshme të gjykatës si dhe emëron nëpunësin gjyqësor të administratës gjyqësore.

“Rregullat e reja pritet të krijojnë një fushë intensive bashkëpunimi, nën parimin e roleve dhe përgjegjësive të ndara, midis kryetarit dhe kancelarit të gjykatës. Përcaktimi i përgjegjësive merr rëndësi parësore, sepse i shërben rritjes së efektivitetit dhe përmirësimit të ndjeshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve”, përfundoi Halimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA