Bie sërish interesi i bonove

31/10/2012 00:00

Pas një periudhe disavjeçare në nivelet më të larta, kostoja e parasë në
ekonomi ka filluar të bjerë me ritme të shpejta, të paktën në tregjet
parësore.

Në ankandin e fundit, interesi i bonove të thesarit me afat njëvjecar, zbriti 6.61 për qind, niveli më i ulet që prej 6 vitesh. Bonot e thesarit me afat njëvjeçar janë instrumentat kryesorë përmes të cilave Qeveria merr borxh nga bankat dhe individët në tregun e brendshëm.

Që pas vitit 2006, interesat e tyre janë luhatur përgjithësisht nga 7 deri në 10 për qind, duke rënduar kostot që Qeveria paguan nga paratë e qytetarëve për të shërbyer borxhin e saj. Rënia e shpejtë e tyre gjatë muajve të fundit lidhet me disa arsye njëherësh. Së pari Banka e Shqipërisë ndërmori një fushatë aagresive duke e ulur normën bazë të interesit në minimumin historik të 20 viteve prej 4 për qind.

Por veç lehtësimit të politikës monetare, rënia e interesave të bonove lidhet edhe me sjelljen e qeverisë, e cila prej dy muajsh nuk po merr më borxh të ri në tregun e brendshëm, pasi e ka ezauruar kufirin e autorizuar nga Kuvendi për këtë vit.

Së treti, rritja e fortë e depozitave dhe hezitimi i bankave për të kredituar privatët i kanë nxjerrë bonot e thesarit thuajse si alternativën e vetme, ku bankat mund të investojnë kursimet e rritura të qytetarëve. Zbutja e interesave tek letrat me vlerë, përvecse lehtëson kostot e buxhetit, jep shpresa edhe për uljen e interesave tek kredive. Kjo pasi përgjithësisht bonot njëvjecare përdoren si treguesi bazë mbi të cilin bankat përcaktojnë interesat e huave për biznesin dhe qytetarët. Megjithatë tendenca në rënie e interesave nuk ka vetëm të fituar. Ajo ul të ardhurat për qytetarët që investojnë në bono thesari kursimet e tyre, dhe gjithashtu bën presion edhe për uljen e interesave të depozitave.

Top Channel