Shehu: Qeveria të rrisë shpenzimet

27/10/2012 00:00

Ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu aktualisht deputet i
maxhorancës, mendon se politika e ashpër buxhetore që po ndjek Shqipëria
është e sforcuar.

“Në të gjithë botën është provuar që masat shtrënguese në periudha të vështira ekonomike ose të krizës, nuk janë produktive. Harmonizimi i stimulit me masat shtrënguese është zgjidhja më e mirë. Në kushtet e Shqipërisë mendoj se momenti është për stimul”, thotë Shehu.

Zoti Shehu thotë se gjendja aktuale e ekonomisë imponon një politikë më agresive shpenzimesh dhe për këtë liston disa argumenta

“Ka rritje të ndjeshme të kursimeve, ka ulje të kreditimit dhe ndoshta vetëm Qeveria mund të kompensojë atë që nuk po e bën biznesi dhe në rastin konkret banka”, tha Shehu.

Por si do të financohej kjo rritje e shpenzimeve? Deputeti demokrat thotë se buxheti nuk duhet të mbesë peng i kufirit të borxhit, por duhet të mbështesë ekonominë.

“Kur them stimul kam parasysh rritjen e kreditimit nga ana e Qeverisë ose e huamarrjes në rastin e Qeverisë dhe njëkohësisht kam parasysh edhe përdorimin e  mirë të këtyre parave, marrja e huase për projekte me kthyeshmëri të lartë edhe që kanë rëndësi për zhvillimin e ekonomisë së vendit”, tha Shehu.

Por nëse Qeveria rrit humarrjen, borxhi publik kërcen mbi kufirin ligjor prej 60 për qind. Për zotin Shehu një rritje e kontrolluar nuk përbën problem.  

“1 përqindëshi e zhbllokon situatën, sepse një përqindëshi përkthehen në rreth 100 milionë euro”, tha Shehu.

Në vitin zgjedhor 2009, Qeveria i rriti shpenzimet në nivelin rekord 33 për qind e Prodhimit Kombëtar. Borxhi kërceu në kufirin maksimal dhe që nga ai vit shpenzimet e buxhetit kanë ardhur në rënie duke arritur në 28.6 për qind vitin e kaluar.

Top Channel