Besimtarët myslimanë në gjithë Shqipërinë mëngjesin e së enjtes kanë kryer ritet e ditës së Kurban Bajramit.
Kjo ditë simbolizon dashurinë, respektin dhe nënshtrimin ndaj porosive hyjnore. Festa e ka zanafillen te sakrifica që Ibrahimi besimtar do t’i bënte Zotit nëpërmjet djalit të tij Ismail, të cilin zoti e shpëtoi.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, me mijëra besimtarë kanë dëgjuar predikimin e klerikëve me rastin e kësaj feste tepër të rëndësishme në kalendarin fetar islam.
Kjo festë fton të gjithë besimtarët të jenë të arsyeshëm, të reflektojnë kthimin e sinqertë në parimet e Fesë Islame, të kultivojnë vlera humane dhe njerëzore ndaj të gjithëve, me theks të veçantë ndaj të afërmve, fqinjëve dhe ndaj gjithë atyre që kanë nevojë.
Traditë e kësaj feste eshte berja e Kurbanit,e cila ne kuptimin gjuhesor do te thote afrim dhe ne terminologjine islame, ka kuptimin te theresh nje kafshe te pershtatshme sipas kushteve te caktuara me qellim adhurimi. Ata qe bejne kurban duhet qe 1/3 emishit te Kurbanit ta ndajne per familjet e varfra.
Kreu i Komunitetit Mysliman uron besimtarët
Një ditë më parë, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça uroi shqiptarët, duke i ftuar ata që të afohen më shumë me njëri-tjetrin në këtë ditë të madhe.
“Të nderuar besimtarë kudo që ndodheni, ju përshëndes dhe ju uroj nga zemra gëzuar e për shumë vjet festën e Kurban Bajramit, që këtë vit përkon me 100-vjetorin e pavarësisë. Me urdhërin e kurbanit përfaqësohet përkushtimi ndaj Zotit të madhërishëm. Kjo festë e madhe të trokasë në derën e çdo shtëpie dhe të sjellë paqe e harmoni. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, deklaroi Muça.
Top Channel