Biznesi: Transparencë në dogana

23/10/2012 00:00

Bizneset i kërkuan doganave zbatim transparent të çmimit të referencave,
i cili prej kohësh është shndërruar në problemin kryesor të tyre.

Në një takim të thirrur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, drejtori i Komitetit të Taksave dhe Ligjeve Genci Boga duke iu drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, tha se çmimet e referencës, dukshëm me të larta, po shndërrohen në barrë të rëndë veçanërisht për importuesit e mëdhenj, si ato të duhanit.

“Ne kemi katër importues të mëdhenj, ndoshta më të mëdhenjtë e duhanit që janë anëtarë të Dhomës dhe na është thënë që për çmime të njëjta me pakicë, këta zotërinj paguajnë çmime të ndryshëm me shumicë dhe kuptohet që janë çmimet e referencës që aplikohen për njërin apo tjetrin, që krijojnë diferencime që janë dukshëm më të larta”, u shpreh Boga.

“Kjo ka patur një nivel shumë më të lartë përdorimi të referencave. Tashmë ajo është ulur. Sa i përket pjesës që ka të bëjë me biznesin është vetëm 3.7 për qind. Me përjashtim të rasteve kur ligji krijon probleme në zbatim në heqjen e referencave, ne nuk mund të veprojmë”, u shpreh Flamur Gjyrmishja,drejtor i Doganave.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga bizneset është aplikimi i taksës së karbonit për importuesit e hidrokarbureve, që sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë nuk ka asnjë bazë ligjore.

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka kërkuar nga doganat lehtësira të mëtejshme në procesin e zhdoganimit si dhe funksionimin e sistemit on line i cili është inekzistent. 

Top Channel