Revolucioni gjenetik “kthen orën pas”

22/10/2012 00:00

Një qelizë e rritur mund të riprogramohet dhe të kthehet në një qelizë embrionale, e cila mund të shnëdrrohet në çfarëdolloj indi embrional.

Ky zbulim i cili kthen orën biologjike mbrapsh dhe i jep një tjetër mundësi zgjidhjeje dhjetra sëmundjeve është kryer nga studiuesi britanik Xhon Gurdon dhe japonezi Shinja Jamana të cilët edhe kanë marrë çmimin Nobel për këtë vit në fushën e mjekësisë.

Pr.dr Myftar Barbullishi tregon se ky zbulim i jep mjekësisë një armë të fortë për të luftuar disa sëmundje të vështira.

“E arritën nëpërmjet një koktejli kimik, që me sa di, me sa kam informacion ka disa gene që i fut në këto koktejle, arriti që qelizat e specializuara të trajtuara në këtë koktejl të shndërroheshin në qeliza embrionale të padiferencuara. Ky është një zbulim i jashtëzakonshëm që tregoi që ora e zhvillimit kthehet mbrapa, tregoi se si specializohen qelizat për të zhvilluar organe të ndryshme dhe biles dimë se si mund t’i kthejmë në gjendje embrionale. Për sëmundjet kronike është hapur një fushë e jashtëzakonshme”, thotë Dr. Myftar Barbullushi.
 
Ky zbulim i jep fund edhe debatit etik mbi përdorjen ose jo të qelizave embrionale.

“Në këtë stad ofron mundësinë që në një veshkë të një individi që bën dializë, të marrim qelizat e maturuara, të degjeneruara nga sëmundjet, t’i rinovojmë, t’i kthejmë në gjendjen fillestare në laborator, t’i injektojmë dhe të kthehen në veshkë, të përfitojmë një veshkë pothuajse të re, pa patur nevojën e klonimit apo të qelizave embrionale”, sqaron Dr. Barbullushi.

Mjekët dhe studiuesit do të vijojnë punën për zhvillimin e këtij zbulimi në disa hapa. Më parë do të eksperimentohet në laborator me pas tek kafshët dhe në fund do të provohet tek njerëzit.

Top Channel