Emigrantët, rikthimi si të papunë

22/10/2012 18:00

Kthimi i emigrantëve shqiptarë në vend pasi humbën punët në shtetin grek i ka detyruar të kërkojnë një zgjidhje.

Një zgjidhje që do t’i shpëtonte nga kriza dhe gjendja e vështirë financiare në të cilën gjendeshin.

Një pjesë jo e vogël e emigrantëve që kanë lënë Greqinë, i janë rikthyer jetës në fshat, duke investuar kursimet e tyre për të krijuar një mundësi vetëpunësimi.

Bujqësia, blegtoria apo edhe bletaria janë fushat ku shumë emigrantë pas kthimit kanë gjetur një shpresë për të vazhduar jetesën e tyre.

Mehdi Horanlli është një prej banorëve të fshatit Plasë në Korçë.

Ka kaluar pothuajse 1 vit që nga dita kur humbi punën në shtetin grek dhe vendosi të rikthehet në Shqipëri.

I është rikthyer profesionit të tij të vjetër që e braktisi para se të merrte vendimin për të punuar e jetuar në shtetin grek.

Ai është i vetmi në vend i cili merret veçanërisht me rritjen e mbretëreshave, gjë që shërben për mbarështimin e bletës.

“Unë kam jetuar dhe punuar në Greqi që nga viti 1993 dhe deri në 2011-n. Jam një vit që jam kthyer, për shkak të krizës greke dhe pamundësisë për të punuar më atje. Tashmë, jam i detyruar të merrem me zanatin që kam pasur prej kohësh”, shprehet Horanlli.

Teksa ka krijuar një ambient të këndshëm pune, Mehdiu pohon se i është dashur shumë punë, por tashmë biznesi ku ka harxhuar një pjesë të madhe të kursimeve nuk është shumë fitimprurës.

“Sot kam 250 bletë, i kam nëpër vende të tjera si në Damjanicë, Shuec dhe këtu ku jetojmë. Për mua nuk është vështirë, zanatin e njoh fort mirë, por problemi është se tregu nuk është i fuqishëm. Ajo që prodhohet nuk shitet lehtësisht dhe si rezultat, duhet të punosh orar e pa orar që të nxjerrësh bukën e gojës”, thotë Mehdiu.

Por, përkundrejt fshatrave ku emigrantët kanë gjetur një zgjidhje për të jetuar, qyteti është ai që mbetet ende problematik.

Pas krizës greke nuk është e vështirë të shohësh qindra njerëz të cilët vrapojnë bizneseve për të kërkuar punë, por ka edhe shumë nga ata të cilët kanë provuar të hapin një biznez.

“Kam vajzën dhe është pa punë edhe në Greqi. Problemi është se edhe këtu nuk ka punë, as atje nuk ka punë. Nuk dimë ç’të bëjmë, kriza është njësoj nga të dyja anët”, shprehet një qytetar i Korçës.

Kriza greke duket se i ka dëmtuar së tepërmi ekonomitë familjare pasi emigrantët përmes punës së tyre në shtetin grek jo vetëm siguronin të ardhura për veten e tyre, por edhe për familjarët të cilët i ndihmonin për t’u lehtësuar jetesën e  vështirë në vend.

“Shumica e refugjatëve nuk kanë më punë dhe vijnë këtej, por edhe në Shqipëri nuk ka punë. Po harxhojmë kursimet e të gjithë atyre viteve. Pasi t’i harxhojmë, nuk e di se më se çfarë do të ndodhë. Vetëm Zoti atje lart mund ta dijë”, thotë një tjetër ish-emigrant.

Siç e pohojnë vetë qytetarët, tashmë gjetja e një pune është shndërruar në stërmundimin e tyre më të madh ku cdo ditë shpresojnë se do të gjendet një zgjidhje.

Top Channel