Anulohet tenderi i interkonjeksionit

22/10/2012 00:00

Me gjithë paralajmërimet dhe kundërshtitë e hapura të bankës gjermane
KFW, Qeveria Shqiptare ka vendosur zyrtarisht të anulojë tenderin për
linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë.

Top Channel zotëron një dokument zyrtar ku Operatori i Sistemit të Transmetimit njofton zyrtarisht bankën gjermane KFW, si financuese e projektit, se pala shqiptare ka vendosur anulimin e tenderit dhe ribërjen e tij.

Në një letër të dërguar në shtator, banka gjermane ndonëse rikëshillon Qeverinë të mos e anulojë tenderin, e ka paralajmëruar atë që në rast ritenderimi, duhet t’u përmbahet tre kushteve të panegociueshme për të mos humbur financimin.

Sipas letrës, KFW do të vazhdojë financimin e projektit nëse tenderi i ri do të ndahet në dy pjesë të veçanta mes Shqipërisë dhe Kosovës. Po kështu një tjetër kusht i vendosur nga KFW është mbajtja e standardeve të larta teknike si kritere në tender, ndërsa kushti i fundit është ai që pala shqiptare të pranojë rezultatin e tenderit, cilido qoftë ai për të shmangur një ngërç të dytë.

Nuk ka vonuar përgjigjja e palës shqiptare, që pak ditë më vonë përmes OST njofton zyrtarisht bankën gjermane për anulimin e tenderit dhe vendimin e ribërjes së tij. Në letër kreu i OST, premton se institucioni që ai drejton do i përmbushë tre kushtet e vendosura nga KFW, por nuk garanton se të njëjtën gjë do e bëjë edhe Ministria shqiptare e Financave.

“Duke mbajtur parasysh komunikimet me Ministrinë e Financave na lejoni t’ju informojmë se kjo Ministri nuk mund të përfshihet si palë në procesin e ritenderimit,” thuhet në letrën që OST i dërgon bankës gjermane.

Opozita akuzon Qeverinë

Opozita e konsideron si jo të rastësishëm anulimin e tenderit për linjën me Kosovën duke akuzuar Qeverinë se po shkel interesat kombëtare.

“Në ditën kur Berisha derdhte lot patriotizmi në Kosovë, ish badigardi i tij Arben Ibro, si drejtor i OST-të në Shqipëri, i kërkonte bankës gjermane anulimin e tenderit për ndërtimin e linjës 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë deputeti socialist Artan Gaçe.

Sipas deputeti Gaçe zvarritja e ndërtimit të linjës po bëhet me qëllim për të ruajtur monopolet serbe në energji.

“Eshtë shumë e qartë ajo që ne kemi thënë që në fillim që është zvarritja dhe anulimi i këtij tenderi kanë si qëllim të vetëm, mosbërjen e kësaj linje për të mbajtur të varur si Shqipërinë po ashtu edhe Kosovën nga linjat e transmetimit të serbëve, në të cilat aktualisht funksionon gjithë rrjeti energjetik shqiptar”, tha Gaçe.

Tenderi i parë për linjën u zhvillua në mars të vitit të kaluar, ku fituese rezultoi kompania kroate Dalekovod. Por qeveria shqiptare e bllokoi fillimin e punimeve duke tentuar të zëvendësonte fituesin me vendin e dytë për shkak se ofronte një çmim më të ulët. Kjo nuk u pranua nga banka gjermane për shkak të cënimit të standardeve teknike dhe që nga ajo kohë projekti është në ngërç.     

Top Channel