‘Shashka’ e Berishës me Himnin

12/10/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar kthim të himnit shqiptar në formën e
tij më të plotë, ashtu siç e ka shkruar Asdreni. Mirëpo një ligj që
daton në vitin 2002, me numër 9826 e ka sqaruar këtë pikë dhe ky është
varianti i Betimi i Flamurit, i Akademisë së Shkencave.

Profesor Shaban Sinani thotë, se në këtë variant gjendet edhe strofa e munguar, pra zyrtarisht nuk calon asgjë.

“Pasi u miratua Kushtetuta e vitit 1998, lindi detyra që në zbatim të asaj Kushtetute të hartohej një ligj i posaçëm për simbolet kombëtare, Flamurin, Himnin dhe Emblemën Shtetërore të Shqipërisë. Eshtë punuar për dy vjet nga Akademia e Shkencave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Eshtë konfirmuar sërish se teksti i Himnit kombëtar Shqiptar është ‘Betimi mbi flamur’, sipas botimit të Asdrenit.Duke patur parasysh se është menduar një ndalim në heshtje i tij, në ligj është shprehur tekstualisht, që është integralisht pjesë e Himnit, nuk ka cfarë t’i shtohet më”, thotë Sinani.

Por a ka patur ndonjë vendim zyrtar e kësaj strofe nga Himni Kombëtar gjatë përiudhës së diktaturës?

“Asnjë akt zyrtar nuk ka që Himni i Flamurit të jetë vetëm strofa e parë dhe refreni, por duke qenë se republika e periudhës totalitare ishte një republikë ateiste, në mënyrë të nënkuptuar nuk shkonte teksti më tej se sa strofa e dytë, por një ndalim zyrtar me një dokument eksplicit nuk ka patur asnjëherë”, tha Sinani.

Kryeministri kërkoi diskutim edhe me kompozitorë për modalitetet, të cilat në këtë rast duket se janë të panevojshme, pasi bëhet fjalë për kthim në origjinal të Himnit Kombëtar dhe jo krijimin e një muzike të re.

“Dikur është marrë vendimi që ky do të ishte Himni Kombëtar dhe ai këndohej në të gjitha fjalët. Nuk ka se si ta cënojë, që kur është bërë është bërë pikërisht për këtë. Madje e ka cënuar mungesa e moskëndimit të këtyre vargjeve, si himnin e plotë”, thonë ekspertët.

Në studimin e vetëm të plotë monografik për Himnin, studiesja Valbona Karakaci shkruan, se përpjekjet për ndryshimin e Himnit datojnë në vitin 1922 kur nga Këshilli i Ministrave të asaj kohe u shpall konkursi për Himnin zyrtar Kombëtar. Tesktet e Ernest Koliqit dhe Kristo Floqit shpallen si më të mirët. Në këtë konkurs mendohet të ketë marrë pjesë edhe Asdreni.

Në vitin 1937, si pjesë e aktiviteteve për 25-vjetorin e vetëqeverisjes, organizohet një tjetër konkurs për Himnin. Morën pjesë 76 krijime dhe shpallet fitues Himni i Beqir Çelës dhe nuk pati asnjë vendim zyrtar të mëtejshëm. Në 1945-1946 organizohet konkursi i parë shtetëror për Himnin Kombëtar. Fitues shpallet Himni i ‘Shqipërisë së Re’, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos. Edhe në fillim të viteve 70-të u shpall një tjetër konkurs dhe u arrit në dy variante për Himnin, i krijuar nga Cesk Zadeja dhe Nikolla Zoraqi me poezi të Fatos Arapit, “E lirë u ngrit toka jonë” dhe kënga e Pjetër Gacit “Për ty Atdhe”.
 

Top Channel