Instituti i Statistikave raportoi se ekonomia iu rikthye ritmeve pozitive në tremujorin e dytë teksa prodhimi i përgjithshëm kombëtar u rrit me 2.04 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT sektorët më rritjen më të mandhe të prodhimit për këtë tremujor ishin postë-telekomunikacioni me 9.9 për qind, industria me 6.4 për qind dhe bujqësia dhe shërbimet me 5.6 për qind.

Ndërsa sektori i ndërtimit ka vazhduar rënien e shpejtë duke u tkurrur me 18.4 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me të njëtën periduhë të vitit të kaluar.

Rritja me 2.04 për qind, ndonëse e dobët e kthen sërish ekonominë shqiptare në ritmet pozitive, pas tkurrjes që shënoi në tremujorin e parë ku prodhimi ra me 0.2 për qind.

Por edhe me përmirësimin në tremujorin e dytë sërish ecuria e ekonomisë mbetet larg pritshmërive zyrtare të qeverisë. Shifrat tregojnë se si gjashtëmujor prodhimi kombëtar është rritur vetëm me 0.98 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, që mbetet një nga normat më të ulëta.  

Në buxhetin e këtij vitit qeveria fillimisht kishte parashikuar një rritje ekonomike prej 4.3 për qind, që vetëm pak kohë më parë u detyrua ta korrigjonte në 3 për qind. Por edhe ky skenar duket sërish i vështirë për t’u arritur kur tashmë ka kaluar gjysma e parë e vitit.  

Top Channel