Duhani, propozohet rritja e akcizës mbi 10 për qind

09/10/2012 00:00

Ligji antiduhan ka dështuar, ndërkohë që ka nevojë për riparime dhe
amendime. Rezultatet e kontrolleve më shumë duhet të kenë efekt
ndërgjegjësues sesa penalizues. Të gjitha këto deklarata janë dhënë dje
në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, përfaqësuesit kanë debatuar
me njëri-tjetrin, duke arritur në përfundimin se ligji ka nevojë për
ndryshime, por task forca aktuale nuk ka rezultuar të jetë aq eficente
dhe e suksesshme, madje sipas deputetëve opozitarë të Komisionit
Parlamentar të Shëndetësisë, kontrollet kanë qenë jo të balancuara.

Tavo ka propozuar dhe rritjen e mëtejshme të akcizës së duhanit. Sipas studimeve të OBSH-së, nëse akciza mbi duhanin rritet me 10 për qind, kjo do të ulë me 4 për qind konsumimin e duhanit.

Ligji kundër duhanit rindez debatet në Komisionin e Shëndetësisë. Deputetët e opozitës dhe të mazhorancës e konsiderojnë ligjin të dështuar, ndërsa thonë se Task-Forca antiduhan ka kryer kontrolle selektive nëpër subjektet private, kryesisht në Tiranë, pasi nëpër rrethe, puna e saj nuk ndihet fare.

Sipas tyre, ligji duhet amenduar, ndërsa për zbatimin e tij duhet të përfshihen edhe forcat e policisë.

Duke u nisur nga dështimet dhe sukseset e ligjit, Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të marrjes së masave ka parashikuar rritjen e akcizës së duhanit me 10 për qind.

“Task-Forca që ju keni ngritur ka mbajtur qëndrime selektive. Në disa subjekte është treguar shumë e ashpër, në disa të tjera jo. Unë kam të dhëna që subjektet që gjobiten, gjobiten mbi baza partiake”, deklaroi kryetari i komisionit, Et’hem Ruka.

“Kemi të bëjmë me dështimin e këtij ligji. Një dështim, i cili vë në pozitë të vështirë institucionet që do ta zbatonin por edhe ne si Parlament që e miratuam. Unë e konsideroj shumë të vlefshme riaktivizimin e këtij ligji në të gjitha dimensionet e tij”, tha nënkryetari i komisionit, Tritan Shehu.

“Rezultatet e kësaj Taks-Force janë të kënaqshme. Subjekti i punës së saj, nuk janë gjobat, por ndërgjegjësimi i popullatës”, tha ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo në seancën dëgjimore.

Duke iu referuar disa të dhënave për kryeqytetin, ministri i Shëndetësisë shtoi se, rreth 70 për qind e subjekteve në qytetin e Tiranës e zbatojnë ligjin.

Në prani të deputetëve të Komisionit Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, ministri Tavo ka diskutuar dhe mundësinë e disa amendimeve në ligjin antiduhan, që kanë dalë si domosdoshmëri gjatë implementimit të ligjit ekzistues në këto katër vjet.

Duke iu referuar rekomandimeve të OBSH, Ministria e Shëndetësisë, ka propozuar sërish rritjen e akcizës së produkteve të duhanit. Rishikimin e sistemit të gjobave (në të përfshihen jo vetëm subjektet që shkelin ligjin (lokalet dhe institucionet publike), por dhe dëmtuesit (klientët e lokalit apo punonjësit e institucioneve), si dhe mbështetjen e inspektorëve të Task-Forcës nga organet e pushtetit vendor në zbatimin e këtij ligji.

Top Channel