Qeshi me rrëfimin e shokut, nxënësi i fyer i fut thikën

06/10/2012 00:00

Ngacmimi dhe e qeshura tallëse, drejtuar bashkëmoshatarit që po tregonte
për një fenomen shkencor, pasi e kishte dëgjuar në një dokumentar
televiziv, i ka kushtuar një plagë jo të lehtë në këmbë një 18-vjeçari
nga qyteti i Patosit.

Ka qenë një nxënës i klasës së 11 të shkollës së mesme “Zhani Ciko” të Patosit, i cili dyshohet se ka qëlluar me thikë një bashkëmoshatar të tij, për shkak të një zënke banale. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime të Policisë së Fierit, të cilat sqaruan se paraditen e djeshme, pranë ambienteve të shkollës së sipërpërmendur, ka mbetur i plagosur me thikë në këmbë 18-vjeçari S.C., banor i qytetit të Patosit.

Ngjarja

Ngjarja në fjalë ka ndodhur paraditen e djeshme, rreth orës 10:25 minuta pranë shkollës së mesme “Zhani Ciko” në qytetin e Patosit në Rrethin e Fierit, kur nxënësit kishin dalë në pushimin e gjatë. Sipas uniformave blu, një nxënës i kësaj shkolle, 17-vjeçari A.G. nga lagjja “Dukas” e Patosit, ka qenë së bashku me disa shokë të tjerë, të ulur në murin rrethues dhe po bisedonin për tema të ndryshme mes tyre. Së bashku me nxënësit ka qenë një tjetër bashkëmoshatar i tyre, por që nuk mësonte në atë shkollë. Ashtu si përditë, ata kanë qenë duke kaluar minutat e pushimit të gjatë duke biseduar mes tyre. Por papritur, ndërsa ka qenë duke treguar diçka, 17-vjeçari A.G., nga lagjja “Dukas” e qytetit të Patosit, nuk është ndier mirë nga reagimi i 18-vjeçarit S.C. Ky i fundit ka nisur të qeshë, por 17-vjeçari i ka kërkuar që të shkonin pak më larg shokëve dhe të sqaroheshin. Sipas dëshmive të shokëve të dhëna në polici, 17-vjeçari A.G., sapo janë larguar disa metra, është përleshur me 18-vjeçarin S.C., duke e plagosur atë me thikë në këmbë. Më pas, ai është larguar me vrap nga vendngjarja, ndërsa i plagosuri është shoqëruar për në Spitalin Rajonal të Fierit, e më pas në Spitalin Ushtarak, për të marrë një ndihmë mjekësore më të specializuar. Autori i plagosjes është shpallur në kërkim policor për veprat penale të “plagosjes së lehtë me dashje dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.

Motivi

Sipas burimeve nga vendngjarja, autori i plagosjes ka qenë duke treguar çfarë kishte mësuar mbi një fenomen natyror që e kishte dëgjuar në një dokumentar televiziv, por e qeshura e bashkëmoshatarit të tij e ka irrituar S.C. “Ne ishim ulur në murin rrethues të shkollës dhe po bisedonim si çdo herë tjetër në orarin e pushimit të gjatë. Ishim duke biseduar për ngjarje dhe histori të dëgjuara apo që kishim lexuar. Dikush tregonte barsoleta. Edhe shoku ynë i shkollës, 17-vjeçari A.G. nga ‘Dukasi’, po tregonte diçka për një fenomen natyror dhe po shpjegonte se e kishte dëgjuar gjatë një dokumentari që kishte ndjekur. Por, në çastin kur 17-vjeçari ka qenë duke treguar rrëfimin e tij, 18-vjeçari S.C. ka qeshur me pak ironi, duke lënë të kuptohej se nuk i besonte asaj që po dëgjonte prej bashkëmoshatarit. Ky ka qenë edhe shkaku i sherrit mes adoleshentëve. Ai që po tregonte i kishte thënë se pse e fyente, por 18-vjeçari S.C. me buzë në gaz i ka thënë se nuk e kishte me të. Pasi janë larguar pak nga grupi i shokëve për t’u sqaruar, i pamë duke u përleshur me njëri-tjetrin. Shkuam me vrap, por nuk arritëm t’i ndanim. Ai e kishte goditur njëherë me thikë në këmbë e më pas u largua”, kanë pohuar shokët e dy të rinjve

Top Channel