Kreditë në minimumin historik

04/10/2012 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se kredia për ekonominë po
ngadalësohet me ritme të shpejta. Sipas Bankës së Shqipërisë, në gusht
rritja vjetore e kredisë zbriti në 6.5 për qind, që është minimumi
historik që nga viti 2004.

Por kjo është shifra totale e kredisë, që përfshin edhe huatë ndaj sektorit publik dhe atij financiar. Pa këto hua, kredia mirëfilltazi për sektorin privat ka një rritje edhe më të vogël. Sipas të dhënave në fund të gushtit kredia për privatët ishte 520.7 miliardë lekë ose vetëm 4.8 për qind më shumë se një vit më parë, edhe ky minimumi historik.

Ngadalësimi i kredisë nisi pas tremujorit të parë të vitit, por muajt e fundit ritmet e tij po thellohen me shpejtësi. Madje si asnjëherë tjetër më parë, në tre muajt e fundit kredia jo vetëm që nuk është rritur por ka shënuar rënie. Kjo situatë duket e lidhur me dy faktorë. Së pari vetë bankat të detyruara nga kushtet e Bashkimit Europian, por edhe rrezikut të rritur që perceptojnë, po ulin ekspozimin e tyre në ekonominë shqiptare duke pakësuar kreditë si për qeverinë ashtu dhe për privatët.

Nga ana tjetër edhe vetë kërkesa për kredi ka rënë për shkak të krizës. Për shkak të pasigurisë individët kanë ulur konsumin, ndërsa biznesi ngurron të bëjë investime të reja. Tkurrja e kredisë është një sinjal tjetër jo i mirë për gjendjen e ekonomisë, pasi venit shpresat për një rigjallërim të mundshëm të kërkesës konsumatore por edhe investimeve të biznesit. Banka e Shqipërisë prej kohësh e ka çuar normën bazë të interesit në minimunin më të ulët prej katër për qind.

Por të dhënat që vijnë nga tregu financiar, tregojnë se stimuli po dështojnë të rigjallërojë kërkesën e konsumatorëve për mallra dhe shërbime apo të zhbllokojë ngërçin e kredisë, ndërkohë që bizneset ankohen se në treg nuk ka likuditet.  

Top Channel