Berisha: Taksa e biznesit të vogël, e dështuar

04/10/2012 00:00

Në një takim mbi decentralizimin fiskal të pushtetit vendor,
Kryeministri Sali Berisha tha se taksa e biznesit të vogël nuk mund të
konsiderohet një histori suksesi për shkak se ajo nuk vilet nga pushteti
vendor.

“Taksa e biznesit të vogël, e cila ka lënë në tërësi qeverinë vendore, për fat të keq nuk mund të themi se ishte një histori suksesi. Ajo në të gjitha përllogaritjet, mblidhet jo më shumë se 60 për qind të saj”, tha Berisha.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i liderit të opozitës, Edi Rama i cili ka replikuar me Kryeministrin nga selia e Partisë Socialiste, duke thënë se qeveria po përvetëson tezat e opozitës. Rama i kërkoi Kryeministrit të heqë menjëherë taksën për biznesin e vogël, pasi sipas tij kjo taksë po rrënon këtë biznes.

“Pas 9 muajsh me fitoren e zgjedhjeve ne do ta heqim pa dyshim këtë taksë, por 9 muaj në kohën e një krize si kjo, që po kalon ekonomia kombëtare dhe ekonomia familjare në Shqipëri janë shumë, janë edhe më shumë për bizneset e vogla që ushqejnë me dhjetëra,mijëra familje, prandaj i them Saliut: Hiqe një orë e më parë taksën e biznesit të vogël!” tha Rama.

I pranishëm në takimin e USAID për decentralizimin fiskal të pushtetit vendor, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu tha se pushteti vendor në Shqipëri vuan nga mungesa e parashikueshmërisë financiare.

“Aktualisht shumë qeveri vendore, anembanë Shqipërisë, vuajnë prej mungesës së parashikueshmërisë financiare, me pasoja negative mbi aftësitë e tyre për të paguar punonjësit dhe për të ofruar shërbime thelbësore ndaj qytetareve të tyre’, tha Arvizu.
 
Sipas ambasadorit Arvizu decentralizimi fiskal do t’i siguroje qeverisjeve vendore burimet e nevojshme per te qeverisur.

Top Channel