Bashkia miraton leje ndërtimi për prerjen e pallatit

03/10/2012 00:00

Firma ndërtuese pret pallatin në mes për të hedhur themelet e pallatit të ri. Kjo ka ndodhur në qytetin e Fierit.

Pjesa e mbetur e pallatit po rrënohet nga dita në ditë, duke vënë në rrezik jetën e banorëve që jetojnë në të. Disa kohë më parë nga një firmë ndërtuese është prishur vetëm gjysma e pallatit dykatësh ndërsa pjesa e mbetur ka dëmtime të dukshme që kanë ardhur nga tronditja e themeleve. Banorët e pallatit janë ankuar në “Fiks Fare” se firma ndërtuese nuk ka zbatuar kontratën që ka pasur me ta. Në bazë të kontratës të hartuar dy vite më parë, firma ndërtuese merrte përsipër të prishte objektin për të ndërtuar një pallat tetëkatësh, në të cilin do të strehoheshin edhe banorët e pallatit ekzistues. Banorët janë shprehur se kanë kontaktuar me sipërmarrësit e firmës së ndërtimit, por ata nuk i kanë dhënë një zgjidhje problemit të tyre.

Firma ndërtuese, me një leje ndërtimi të miratuar nga Bashkia e Fierit prishi gjysmën e pallatit dhe hodhi themelet për të ndërtuar një pallat të ri, duke lënë në mëshirë të fatit pesë familje, të cilat jetojnë me frikën se po u shembet shtëpia.

Situata në banesat e tyre është problematike. Muret kanë filluar të plasariten dhe çarje të dukshme ka dhe në pjesën e dyshemesë. Banorët janë shprehur për “Fiks Fare” se çdo ditë jetojnë me frikën se banesat do të shemben dhe kjo mund të ishte vërtet një tragjedi. Sipas tyre, në fillim të prishjes së gjysmës së pallatit, banesat e tyre janë tronditur tepër dhe menjëherë janë dukur çarjet e para të cilat më të dukshme janë në pjesën e shkallëve të mbetura të pallatit. Me dije për këtë problem është bërë dhe Inspektorati Ndërtimor pranë Bashkisë së Fierit, por banorët ende nuk kanë marrë përgjigje konkrete nga ky institucion. I kontaktuar nga “Fiks Fare”, kryeinspektori i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Fierit, z. Pajtim Isufi është shprehur se ka dijeni në lidhje me këtë rast dhe ai ka siguruar se do të ketë vëzhgim të punimeve. Sipas tij, është detyrë e firmës që të rehabilitojë dëmet e shkaktuara dhe nga bashkia sigurohet se në rast se firma nuk merr përgjegjësitë përkatëse, nuk do të bëhet mbyllja e pallatit, për rrjedhim ai nuk do të hipotekohet. Kryeinspektori Isufi është shprehur se Bashkia e Fierit ka për detyrë të mbikëqyrë vetëm plotësimin e kushteve urbane nga firma ndërtuese dhe në lidhje me deklaratën e banorëve për një moszbatim kontrate nga ana e firmës, i fton ata t’u drejtohen dyerve të gjykatës.

Top Channel