Ahmetaj: Qeveria po zhyt KESH-in në kolaps

03/10/2012 20:10

Opozita akuzoi qeverinë se po e zhyt Koorporatën Energjetike Shqiptare në kolaps financiar duke e detyruar të marrë borxh për të kompensuar importet e munguara të CEZ.

“KESH sot ka 300 milionë dollarë kredi dhe ka paaftësi paguese ndaj atyre që i kanë dhënë borxhin. Qeveria e detyron KESH-in të marrë kredi, ta përkeqësojë gjendjen financiare, ndërsa CEZ-in e lejon të abuzojë, duke dëmtuar qytetarët”, deklaroi deputeti Arben Ahmetaj.

Ahmetaj tha se kriza e sektorit energjitik është dëshmi e vendimeve të gabuara dhe dështimeve të qeverisë në menaxhimin e tij.

“Dështimi jo thjesht këtë vit por në vite me radhë ka të bëjë jo vetëm me modelin por dhe me privatizimet e sistemit elektroenergjitik shqiptar”, theksoi Ahmetaj.

Për deputetin socialist, kjo krizë nuk është pa kosto dhe këto të fundit po i ngarkohen të gjitha qytetarëve.

“Rrjedhoja e vetme është dëm ndaj qytetarëve, dëm ndaj sistemit, dëm serioz ndaj kompanisë publike e cila nuk dihet nëse do të mund të mbajë veten në 5 apo 7 vitet që do të vijnë”, nënvizoi Ahmetaj.

Situata energjitike u përkeqësua me shpejtësi pasi CEZ, në vështirësi financiare, ndërpreu importet duke detyruar qeverine të akordojë 50 milionë dollarë si garanci për KESH-in, për import energjie.

Top Channel