Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke realizuar një nismë të gjerë diplomatike për të ndryshuar kushtetutën e Republikës së Bosnje-Hercegovinës, në një përpjekje për të ristrukturuar shtetin e përçarë midis tre etnive kryesore, boshnjakëve muslimanë, serbëve ortodoksë dhe kroatëve katolikë.

Lajmi u raportua ditën e martë nga e përditshmaj serbe “B-92”, e cila citoi një burim të mirëinformuar brenda qeverisë së Sarajevës.

Sipas artikullit, partitë politike në Bosnje janë kapur në befasi nga kjo nismë e Uashingtonit, i cili duket se tashmë po skicon ndryshime thelbësore në vendin ballkanik.

Pas luftës së vitit 1992-95, e cila përfundoi me paqen e Dejtonit, Bosnje-Hercegovina u organizua mbi bazën e dy trupave shtetërorë, Federata me të njëjtin emër në cilësinë e qeverisë qendrore dhe Republika Serbe brenda Bosnjes, e përqendruar në zonat lindore me shumicë serbe, të cilës iu akordua një autonomi e zgjeruar brenda shtetit.

Serbët përbëjnë rreth 35% të popullsisë së Bosnjes dhe së bashku me pakicën kroate, formojnë një të dytën e numrit të përgjithshëm të popullsisë.

Sipas të përditshmes bosnjake “Dnevni Avaz”, qëllimi i administratës amerikane është të forcojë qeverinë qendrore, duke zbutur kështu presionet separatiste brenda Bosnjes.

Konkretisht, ndryshimi duket se do të shoqërohet me reduktimin e numrit të krahinave autonome, me ndryshimin e kufijve krahinorë, transferimin e disa kompetencave nga qeveritë lokale tek ajo qëndrore si dhe zvogëlimin e përgjegjësive të pushtetit vendor në përgjithësi.

Gjatë javës së shkuar, Bosnja u vendos në qendër të vëmendjes pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar vendosi t’i akordojë një kredi madhore prej 500 milionë eurosh, me synimin e financimit të disa projketeve të rëndësishme në vend, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e nivelit të jetesës në përgjithësi.

Top Channel