PS: Kontrabandë armësh sllave

01/10/2012 00:00

Ministria shqiptare e Mbrojtjes krahas shitjes së armative të tepërta të trashëguara nga koha e komunizmit, është përfshirë edhe në tregtimin e materialeve ushtarake të ish-Jugosllavisë.

Duke iu referuar dokumentave zyrtare, të cilat nuk mbajnë mbishkrimin “sekret” siç insiston Ministria e Mbrojtjes, deputeti socialist Erjon Braçe tha se përsëri tregtari serb i armëve Zoran Damjanoviç, i preferuari sipas tij i ministrit Imami, është protagonist në këtë aferë të dyshimtë ku Shqipëria nuk kishte përse të përfshihej.

“Ministria e Mbrojtjes deri më sot është mbrojtur duke thënë haptazi dhe qartë se: ‘Po pastron Shqipërinë nga plehrat e komunizmit’, duke iu referuar armëve, municioneve, eksplozivëve, mjeteve e pajisjeve ushtarake vendase, pra administruar nga vetë ushtria shqiptare. Sot dua t’ju tregoj se marrëdhënia mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive shtetërore serbe është më e madhe se sa kaq. Pra, është përtej shitjes së plehrave të komunizmit në depot e ushtrisë shqiptare. Kjo është një dosje e plotë që dokumenton transaksionin më të madh tregtar të mallrave ushtarake prej Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk është një dosje e klasifikuar, por është një dosje e mbushur me dokumenta, kontrata tregtare, e fshehur dhe e mbrojtur deri tani nën argumenta banalë që burokan nga ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, konfirmuar pranë meje me shkrim nga vetë ministri Imami dhe një zyrtar i tij. Në qendër është serish “Meico”, ndërmarrja tregtare e Ministrisë së Mbrojtjes. Por këtë herë, të mallrave që ajo nuk i disponon, nuk i ka të sajat dhe që nuk ishin në depot e ushtrisë shqiptare. Ky është dokumenti, nuk është “sekret”, siç e shihni, dhe konfirmon qartësisht këtë fakt. Vetëm emri është i Shqipërisë në këtë transaksion, i ofruar bujarisht, “miqësisht”, u tha më parë, në mes të këtij pazari sllav”, deklaroi Braçe.

Deputeti socialist dha edhe detajet e llojit të armatimit jugosllav. “Bëhet fjalë për mallra të ushtrisë jugosllave të administruara nga ushtria malazeze e të vëna në dispozicion të kompanisë “Montenegro Defence Industry”, dega e “Jugoimport”-it serb. 10 mijë raketa dore anti-tank 64mm RBR M-80 “Zolja”. E gjithë çështja ka paqartësi të rënda. Ka dy kontrata tregtare, njëra për 10.000 raketa “Zolja” dhe tjetra për 10.000 raketa “Zolja”, 600 granathedhës dore anti-tank RPG-7; shtimje PG-7 për RPG-7. Kjo është njëra kontratë tregtie, në një datë tjetër, me të tjerë personazhe, por me të njëjtin produkt, raketat “Zolja”. Në fund e firmosur nga Zoran Damjanoviç, partneri kryesor i ministrit Arben Imami në këtë histori”, saktësoi Braçe.

E gjitha kjo çështje është e mbuluar me mister, pasi pala shqiptare pohon se transaksioni i këtyre mallarave nuk është kryer, pra nuk kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa dokumentat e palës malazeze, tha Braçe, dëshmojnë të kundërtën, që mallrat janë shitur dhe kanë hyrë në vend.

“Një prej kontratave e ka vlerën 1.2 milionë dollarë, tjetra 1.713 mijë dollarë. Njëra e lidhur me kompaninë “Zahen Limited” dhe tjetra me “Moon Storm Enterprises”, por të dyja të përfaqësuara nga i njëjti njeri. AKSHE, autoriteti shqiptar, deklaron se i gjithë transaksioni nuk është realizuar. Por një tjetër autoritet, ai malazez, e deklaron si eksport të kryer në drejtim të Shqipërisë. Pikërisht për të gjitha këto paqartësi kërkohet përgjigje dhe hetim ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe vetë Arben Imamit. Duhet të përgjigjet dhe të sqarojë publikisht përse Shqipëria përzihet dhe ndyhet në tregtinë e armatimit që nuk e disponon dhe nuk e administron? Përse marrëdhënia e Ministrisë së Mbrojtjes me kompanitë serbe arrin deri këtu, në përfshirjen në transaksione të armatimit të ushtrisë serbe? Ta bëjë sot! Nuk është përgjigjur asnjë ditë, duhet të përgjigjet sot, politikisht, juridikisht dhe penalisht në fund. Nuk mund të fshihet më. Koha e komunizmit, kur çdo gjë, duke përfshirë dhe krimet e tij, ishte “sekret” e nuk ndahej me publikun, ka mbaruar, ka vdekur. I kemi kapur mat dhe në flagrancë në veprime haptazi anti-kombëtare, anti-kushtetuese dhe korruptive”, theksoi Braçe. 

MM: Braçe publikoi dokumente sekrete, do ta padisim në Prokurori

Pas deklarates se radhes se deputetit socialist Erjon Braçe, erdhi edhe reagimi i Ministrise se Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes, çdo veprim, çdo shitje armatimi e municioni, e ka bërë në përputhje të plotë me ligjin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Në këtë proces janë të përfshira institucione të ndryshme vendase dhe të huaja që menaxhojnë dhe kontrollojnë në mënyre të vazhdueshme dhe rast pas rasti të gjithë veprimtarinë në fushën e eksportit të armatimit dhe pajisjeve ushtarake. Publikimi e nxjerrja e dokumenteve të klasifikuar përbëjnë vepër kriminale. Për këtë do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë. Padyshim që në këtë vend do të ruhet standardi i informacionit të klasifikuar në respekt të ligjeve në fuqi.Shpifjet dhe trillimet për veprimtarinë tregtare të Ministrisë së Mbrojtjes nga pengmarrësit e integrimit dhe të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kanë si qëllim nxirjen e Forcave të Armatosura dhe imazhit të tyre, të cilat kanë kaluar me sukses reformat më të thella në këto dekada. Ministria e Mbrojtjes do të vijojë të mbetet e përkushtuar në misionin dhe detyrat e saja kushtetuese, në garantimin e sigurisë kombëtare dhe interesave madhore të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagim.

Rama: Do zbardhim zullumin

Rreth skandalit të kontratave të shitjes së armëve luftarake të Ministrisë së Mbrojtes ka reaguar edhe kreu i socialistëve, Edi Rama.

Në rrjetin social Twitter, Rama thotë se Ministri i Mbrojtjes në mungesë të argumentave mbrojtës i hakërrehet deputetit socialist, Erjon Braç. Por kjo nuk do të ndalë ekspozenë e zullumit të kësaj ministrie, thotë Rama.

“Ndiqni shpalosjen e kalbëzimit rrenqethës të Ministrisë së Mbrojtjes përmes fakteve e shifrave të korrupsionit që po ekspozojmë publikisht. Ministri i Mbrojtjes vetëm hakërrehet ndaj Erjon Braçes që po bën përditë ekspozenë e atij kalbëzimi,por s’jep dot asnjë provë të kundërt. Dhe “xhevahirët” e zullumit të asaj ministrie s’kanë të mbaruar, ekspozeja do të vazhdojë paçka hakërrimeve të dëshpëruara të ministrit’, shkruan Rama. 

Top Channel