Bien fitimet e biznesit

30/09/2012 00:00

Të dhënat zyrtare të buxhetit tregojnë se kriza ka shtuar presionin mbi biznesin, fitimet e të cilit kanë rënë me ritme të forta në tetë muajt e parë të vitit.

Sipas Ministrisë së Financave, për periudhën janar-gusht, të ardhurat që qeveria mblodhi nga taksimi i fitimit të sipërmarrjeve ishin 16.6% më të ulëta se sa e njëta periudhë të vitit të kaluar. Shifrat tregojnë se kjo është rënia më e madhe e dhjetë viteve të fundit, madje më e lartë edhe se sa ajo e vitit 2008, kur niveli i kësaj takse u përgjysmua nga 20 në 10%.

Ministria e Financave thotë se një pjesë e rënies së të ardhurave nga tatimfitimi i detyrohet gjendjes së vështirë financiare të ndërmarrjeve shtetërore që këtë vit kanë dalë me humbje si Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Por kompanitë publike shpjegojnë vetëm gjysmën e rënies. Pjesa tjetër është e lidhur drejtpërdrejtë me uljen e fitimeve të biznesit privat dhe sipas shifrave ajo ka prekur gati të gjithë sektorët e ekonomisë.

Sipas Ministrisë së Financave, fitimet e bizneseve të prodhimit u ulën me 43.8% në rang kombëtar. Ato të ndërmarrjeve të ndërtimit me 19.4%, ndërsa në sektorin e shërbimeve me 17.3%. Sipas madhësisë, shifrat tregojnë se më të prekurit kanë qenë bizneset e vogla familjare me xhiro nën 8 milionë lekë në vit, fitimet e të cilave kanë rënë me 25.8%.

Përkeqësimi i rezultateve financiare të biznesit përveçse tregon ngadalësimin e aktivitetit ekonomik është edhe një sinjal shqetësimi për të ardhmen pasi për t’ju përgjigjur kësaj situate shumë biznese mund të detyrohen të ulin investimet por edhe punësimin duke thelluar më shumë krizën.  

Top Channel