Akciza, hyn në fuqi ligji

29/09/2012 00:00

Ligji i ri i Akcizave që e kalon administrimin e kësaj takse nga tatimet
tek doganat, shoqërohet me rritje të fortë të barrës fiskale për disa
produkte, kryesisht kafes.

Në bazë të ligjit të vjetër akciza që paguhej për kafen ishte e diferencuar, më saktësisht 30 lekë për kilogram për kafen e papërpunuar dhe 140 lekë për atë që importohej e gatshme. Kjo skemë ka qenë në fuqi prej shumë vitesh, si një masë që mbështeste prodhimin vendas duke diferencuar barrën për produktet e gatshme dhe lëndët e para, të cilat përpunohen dhe marrin vlerë të shtuar në vend.

Por kalimi i akcizës nën administrim të doganave sjell një intepretim të ri të ligjit, i cili e rrit me disa herë barrën e akcizës për kafen e papërpunuar. Sipas ligjit, i cili hyn në fuqi në pas pak ditësh në datën 1 tetor të këtij viti masa e akcizës, njësohet si për kafen e gatshme ashtu edhe për atë që vjen si lëndë e parë nga importi.

Si rrjedhojë akciza për kafen e papërpunuar rritet menjehërë me disafish duke shkuar nga 30 lekë për kilogram që është aktualisht në 140 lekë për kilogram. Burime nga financat thonë se veç kafes, ligji i ri i prek edhe karburantin bruto që importohet për rafinim në vend, i cili edhe ky do të trajtohet njëlloj si karburanti i gatshëm.

Top Channel