Berisha:Shqipëria ruajti rritjen ekonomike

27/09/2012 00:00

Në konferencën mbi situatën ekonomike në Shqipëri, kryeministri Sali
Berisha theksoi se vendi ynë ka arritur të ruajë rritjen ekonomike,
pavarësisht ndikimeve të krizës globale.

Sipas Berishës, Shqipëria nuk ra në recension dhe nuk u përfshi nga kriza e borxheve. “Shqipëria, nuk po them molekulë, por kjo pikë uji në oqeanin global në këto vite ja doli të ruajë rritje ekonomike. Ja doli të ruajë një rritje ekonomike në 4 vitet e fundit 4 herë më të madhe se mesatarja e rritjes ekonomike të rajonit. Ndonëse i ndjeu pasojat e krizës, Shqipëria nuk ra në recesion, modeli i saj ekonomik funksionoi, por ky model ka nevojë për një përmirësim të mëtejshëm, në mënyrë që ne të mbetemi vend me rritje ekonomike”- u shpreh Berisha.

Kreu i qeverisë theksoi se vendi ka një borxh publik rreth 60 për qind, “por ky borxh është i tëri i kontraktuar me ligjin e artë ekonomik, borxh vetëm për investimet.” E organizuar në formën e një bashkëbisedimi me ekspertë dhe pedagogë të ekonomisë, konferenca vijoi më pas me pyetje dhe sugjerime nga të pranishmit. Duke iu përgjigjur çështjeve të ngritura në sallë, kryeministri Berisha shprehu besimin se fleksibiliteti i tregut të punës përbën një kusht themelor për zhvillimin.

Top Channel