Një tjetër kompani në krom

26/09/2012 00:00

‘Decometal’, grupi që zotëron minerën e Bulqizës, përmes kompanisë
‘Albanian Crome’, duket se ende nuk e ka vendosur përfundimisht të
ardhmen e operacioneve të veta në Shqipëri.

Në një interviste për revistën prestigjoze të fushës, ‘Metalbuletin’, Drejtori i Përgjithshëm i ‘Decometal’ ka thënë se aktualisht janë tre opsione të mundshme në lidhje me të ardhmen e minierës në Shqipëri.

“Shqipëria tradiconalisht ka qenë shumë e rëndësishme për ne. Në këtë moment kemi tre opsione. Ose i mbajmë të gjitha aktivitetet tona atje, ose hyjmë në një partneritet me ndonjë kompani tjetër ose opsioni i tretë është ta shesim komplet koncesionit,” është shprehur Kornfeld.

Sipas tij, aktualisht të tre opsionet janë të mundshme. “Ne jemi në fillim të procesit dhe besojme se afrimi i një partneri të ri në shqipëri do të bënte sens. Aktualisht jemi në negociata me dy kompani,” ka vijuar Kornfeld pa bërë të ditur emrat e tyre.

Top Channel pyeti në lidhje me këtë çështje Drejtorin e Përgjithshëm të ACR-së Roman Lurf, i cili konfirmoi se ‘Decometal’ është duke shqyrtuar mundësinë e afrimit të një kompanie tjetër private si aksionerë në koncensionin e Shqipërisë, por mohoi shitjen e mundshme të koncesionit. Sipas tij, koncesioni në Shqipëri konsiderohet si një nga asetet bazë të grupit ‘Decometal’ dhe nuk ka ndonjë plan për shitjen e tij. Koncesioni i Bulqizës mbetet deri më tani një histori problematike. ACR e cila e bleu atë nga ‘Darfo’ në vitin 2006 thotë se tashmë ka nisur investimet për thellimin e minierës që do të zgjaste jetëgjatësinë e saj.

Një proces ky që sipas marrëveshjes koncesionare duhet të ishte mbyllur që në vitin 2009, por programi i investimeve nuk u realizua fillimisht nga ‘Darfo’ dhe më vonë nga ACR, edhe pas shtyrjes së afatit deri në vitin 2012. Përtej angazhimit publik të ACR e ardhmja e minierës ende nuk ka një vendim përfundimtar, çka me përvojën e deritanishme të dështimit me investimet sipas ekspertëve rrezikon të ardhmen e minierës.

Top Channel