Kur zgjedhjet bëhen thjesht për të konfirmuar mazhorancën (Bjellorusi)

26/09/2012 00:00

MUSTAFA NANO – Të dielën u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi, që për Europën po shndërrohet në një vend të harruar.

Më saktë, u zgjodhën 110 anëtarët e dhomës së ulët të Parlamentit, e cila ka funksionin e fuqinë për të zgjedhur Kryeministrin në një republikë presidenciale; për më tepër, në një republikë presidenciale, ku Presidenti e ka emrin Aleksandër Llukashenko. Në këtë kuptim, zgjedhjet e atjeshme parlamentare nuk kanë rëndësi për forumin që përcaktojnë, por kanë rëndësi në vetvete, d.m.th si zgjedhje. Jemi në Bjellorusi, dhe pyetja: A u mbajtën zgjedhje të lira e të ndershme është pyetja më me kuptim që mund të bëhet qysh prej vitit 1994. Është kështu, ngaqë Llukashenko, me sundimin e tij të përjetshëm, e ka bërë demokracinë në atë vend thjesht një shaka. Aty zgjedhjet bëhen për të nxjerrë një fitues që dihet qysh përpara zgjedhjeve, vetë Llukashenkon e partinë e tij. Në dhomën e ulët të Parlamentit që sapo u zëvendësua, 102 anëtarë ishin nën hyqmin e Presidentit. Tetë të tjerët ishin komunistë, që mbështesnin Presidentin.

Po këtë herë? Situata është po ajo. Nuk ka fituar asnjë kandidat i opozitës në një garë të bazuar në sistemin mazhoritar, ku kandidatët konkurrojnë me njëri-tjetrin e ku fituesit i duhet të fitojë shumicën absolute të votave në zonën e tij elektorale, dhe në rrethanat që pjesëmarrja e zgjedhësve është mbi 50%. Janë zgjedhur tanimë 109 deputetë të Parlamentit të ri. Njëri syresh nuk mundi të zgjidhej, pasi pjesëmarrja në votime ishte më e vogël se 50%. Por kryetarja e KQZ-së, grua, Lidia Jermoshina, u shpreh se “nuk ka gjasa që në këtë zonë elektorale të fitojë kandidati i opozitës”. Siç shihet, kryetarja e KQZ-ja atje nuk ka durimin të presë rezultatin qoftë dhe në një zonë të vetme elektorale. Ajo është në gjendje ta parashikojë atë rezultat. Për të qeshur? Në fakt, është për të qarë kur mendon se po kjo kryetare, me t’u mbyllur votimet, ende pa filluar procesi i numërimit pra, doli para gazetarëve, dhe tha se “për sa i takon rezultatit të zgjedhjeve nuk ka gjasa që të ketë surpriza”, duke lënë të kuptohet se fitorja do të jetë e njerëzve të Llukashenkos.

Europianëve mund t’u duket skandaloze një kryetare e tillë, por neve jo. Janë praktika që ne të këtushmit i njohim shumë mirë. Në pikëpamje të regjimit politik, Shqipëria është një lloj Bjellorusie. Nuk kemi arritur në pikën që mazhoranca t’i marrë të gjitha vendet në Parlament, por jemi në pikën kur zgjedhjet kontrollohen nga mazhoranca, dhe kjo e fundit e ka të lehtë ta bëjë këtë gjë për shkak të kontrollit absolut që ka mbi institucionet (opozita i ka shpresat te ndërkombëtarët e te një KQZ e de-ristanizuar për zgjedhjet e vitit 2013, e të gjithë mezi po presim të marrim vesh se sa e mundur është kjo gjë në këtë klimë të kontrollit absolut të të gjitha institucioneve të tjera).

“Opozitarët janë ca burracakë që s’kanë se ç’t’i thonë popullit”, u shpreh Llukashenko para kamerave televizive menjëherë pasi hodhi fletën e votimit në kuti, dhe në ndonjë gazetë të rëndësishme të Europës kjo frazë interpretohej si shumë e rrezikshme në rrethanat që del nga goja e atij që rivalët, në vend që t’i përballojë në një garë, i rras në burg dhe i kërcënon. Eksponenti i opozitës, Nikolai Stankeviç është në burg prej dy vjetësh. Këtu te ne nuk është në burg asnjë opozitar, por kjo nuk e bën situatën më të mirë. Regjimi ynë, dhe Llukashenkoja ynë, kanë bërë më shumë se kaq, s’ka gjë se gjithçka ka kaluar pa marrë vëmendje për shkak të peshës së vogël që ka vendi në arenën ndërkombëtare e për shkak të faktit që regjimi është mbajtur me hatër e është llastuar (do duhet të shpjegohet ndonjë ditë pse ka ndodhur kështu) prej Brukselit e Uashingtonit. Llukashenko nuk ka guxuar të vrasë opozitarët që dalin në protestë, ndërsa ky i yni ka vrarë katër opozitarë. Në bulevard. Faqe botës.

Ekziston ideja se forca e një regjimi është pikërisht dobësia e tij. Me këtë duan të thonë se një regjim i fortë autokratik mbjell vetvetiu pakënaqësi gjithnjë e më të madhe, e cila fare kollaj mund të marrë formën e një energjie politike opozitare të aftë për ta rrëzuar regjimin. Kjo nuk është gjithnjë e vërtetë. Madje, shpesh është një gjepur. Ja, në Bjellorusi fjala vjen është tamam një gjepur. Regjimi i atjeshëm ka shfrytëzuar forcën dhe mjetet që ka në dispozicion për ta përçarë opozitën, e për të futur në sherr fraksionet e saj (në një rast, dy eksponentë të opozitës janë kapur me grushte me sho-shoqin). Përveç kësaj, në rrethana të tilla krijohet rëndom një klimë kapitullimi në të cilën, jo vetëm nuk favorizohet ndryshimi, por edhe shihet me frikë.

Konkretisht, në Bjellorusi nuk vihet re ndonjë dëshirë për ndryshim. Bjellorusët janë pajtuar me rendin e gjërave. Jo vetëm nuk bëzajnë kur Llukashenko ndryshon Kushtetutën për të zgjatur mandatin e tij presidencial, apo për ta bërë të pakufizuar numrin e mandateve presidencialë, por edhe e votojnë atë në masë. Sigurisht, zgjedhjet atje nuk janë të lira e të ndershme, por janë të paktë ata që besojnë se me zgjedhje të lira e të ndershme mund të mundet Llukashenko. Ky i fundit do të ish më i votuari edhe sikur votat të mos i numëronte vetë. Ai ka qenë, sipas sondazheve të besueshme, bjellorusi më i votuar e më i mbështetur edhe në pikun e krizës ekonomike. Sikur të votohej sot për postin e Presidentit, ai do të merrte 30% të votave, ndërsa Neklajevi, kundërshtari më serioz i tij, do të merrte më pak se 7% të votave.

Përsëris, që këto nuk janë shifra të nxjerra nga Komisioni i tij Qendror i Zgjedhjeve. Përkundrazi, janë shifra të nxjerra nga sondazhet e bëra nga institute e agjenci që nuk janë të kontrolluara prej tij, gjë që do të thotë se me vjedhjen industriale të votave ai thjesht trukon fitoren e tij, por nuk e shpik atë nga hiçi.

Për fat të mirë, ne shqiptarët nuk kemi arritur në pikën ‘bjelloruse’. E sipas shumë gjasash nuk kemi për të arritur ndonjëherë, pasi Llukashenkos sonë i duhet gjithnjë ta shpikë fitoren. Nëse ai ia del ta shpikë dhe në vitin 2013 (me ndihmën e ndërkombëtarëve, kuptohet), atëherë nuk do të jetë çudi një bjellorusizim i vendit, që do të manifestohet më së shumti me shkatërrimin e shkërmoqjen fatale të opozitës. Por nuk duket se këtë radhë mund të ndodhë një gjë e tillë. Janë të gjitha shenjat se Llukashenkoja ynë po numëron ditët e fundit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel