Anëtarët e Shoqatës së të Burgosurëve Politikë, nuk u lejuan gjatë mesditës së të martës të futen në grevën e urisë së tyre në oboriin e Institutit që i përfaqëson.

Pas një komunikimi me policinë ku u informuan se nuk mund ta kryenin këtë grevë urie në ambientet e Institutit, ata kanë akuzuar qeverinë duke kërcënuar me votën kundër saj në zgjedhjet e ardhshme.

“Na doli një regjim tjetër komunist. Partia Demokratike na ka lënë pa dëmshpërblim, pa bukë dhe pa strehë. Këta po sillen me ne më keq se komunistët. Kjo qeveri ka marrë 70% të votave nga të përndjekurit, por këtë radhë këto vota nuk do t’i ketë më, ndaj të mendohet mirë”, shprehen të përndjekurit.

Ata janë zhvendosur më pas përpara Piramidës për të diskutuar dhe vendosur se ku do të kryejnë grevën e urisë. Ndërkohë që një tjetër grevë urie vazhdon prej disa ditësh në lagjen Komuna e Parisit.

Të futur që në mbrëmjen e së shtunës në grevë ata nuk kanë marrë ende ndonjë përgjigje shtetërore për zgjidhjen e problemit të tyre, ku kryesori mbetet ai i dëmshpërblimit.

Opozita mbështet grevistët

Partia Socaliste i apelon mazhorancës qeverisëse të mos injorojë grevën e urisë së përfaqësuesve të ish-të përndjekurve.

Grupi i punës për këtë shtresë në selinë rozë ka vizituar në ambientet ku po zhvillohet greva e urisë së ish-të përndjekurve, nisur prej tre ditësh.

“Është turp për një kryeministër si Sali Berisha, që në këto 22 vjet, pjesën më të madhe ka mbretëruar në Shqipëri dhe ka treguar hipokrizinë maksimale, duke u tallur me këtë shtresë, të përdorur prej tyre vetëm për vota dhe interesa personale, për t’i krijuar një imazh tjetër partisë së tij, e cila më shumë ngjan me Partinë e Punës”, deklaroi Keti Bazhdari.

Kreshnik Spahiu, kreu i aleancës kuqezi, gjatë takimit me grevistët tha se qeveria ka shpenzuar miliona dollarë për reklamë qeveritare, duke propaganduar punën e saj dhe asnjë lekë për këtë shtresë.

“Ju ishit kundërshtarët dhe disidentët e Enver Hoxhës dhe jeni sërish ju disidentët e shtetasit Sali Berisha, i pari ju mori lirinë i dyti ju dhunoi dinjitetin. Ata janë të dy të njëjtë në ideologji pasi dhe Berisha ka mision të tijin personal shkatërrimin e elitës së përndjekurve politikë”, deklaroi Spahiu. 

Edhe Fryma e Re Demokratike, gjithashtu është solidarizuar me grevën e urisë së ish-të perndjekurve.

Partia e Bamir Topit akuzoi qeverisjen e djathte se ndërsa ka dëmshpërblyer Ramiz Alinë dhe Fatos Nanon nuk ka dhene asnje leke per ish-të përndjekurit e regjimit komunist.

Top Channel