BERZH, 5,2 mln euro për dy hidrocentrale

25/09/2012 18:50

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim aprovoi një hua prej 5,2 milionë eurosh, për të ndihmuar ngritjen e dy hidrocentraleve në rrethin e Korçës.

Lajmin e konfirmoi vetë BERZH-I në faqen e tij të internetit, në raportin ditor për aktivitetin e Bankës.

Hidrocentralet pritet të nisin nga puna në vitin 2013. “Projekti do të ndihmojë në përmirësimin e situatës energjitike në Shqipëri, ndërsa njëkohësisht tregon potencialin e këtij sektori për t’u shndërruar në një faktor udhëheqës në ekonominë shqiptare”, deklaroi Fabio Serri, kryetari i BERZH-it për vendin tonë, në një deklaratë.

Që prej fillimit të operacioneve në Shqipëri, BERZH ka investuar mbi 700 milionë euro në formë huash apo grantesh, në projekte të ndryshme në vend.

Pronarët e hidrocentralëve të rinj do të jenë kompanitë italiane “Fidia Ambiente”, “EdilEurope” dhe shqiptarja “Xhemi sh.p.k”.

Top Channel