Darko Pajoviç është një nga njerëzit që mendon ta ndryshojë pushtetin në Mal të Zi. Pajoviç e di mirë se çfarë do të thotë një lindje e re e vështirë. Ai është ekspert embriolog dhe punon në Departamentin e shtatzënisë artificiale në Podgoricë.

Partia e Millo Gjukanoviç, tani kryeministër në hije i Partisë së Socialistëve Demokratë, i njohur si udhëheqës i përhershëm dhe i përfshirë edhe në afera ndërkombëtare e hetime në Bari të Italisë për lidhje me mafien e duhanit, ende është më e forta.

Pajoviç, kryetar i Malit të Zi Pozitiv, apo Pozitivna Crna Gora, ka qenë aktivist për ambientin dhe ka mbledhur ekspertë të rinj për ta mundur partinë në pushtet, ndër ta edhe dy shqiptarë.

“Koncepti ynë është një shtet qytetar, në listat tona zgjedhore do të gjenden të gjitha etnitë që ndodhen në Mal të Zi, malazezët, serbët, shqiptarët, boshnjakët, myslimanët, kroatët, por edhe të tjerë që janë në Mal të Zi. Ne konsiderojmë se dallimet që ekzistojnë në Mal të Zi janë një nga pasuritë më të rralla që ka ky vend”, thotë Pajoviç.

Në zyrën e vogël në periferi të Podgoricës të partisë së re shpresa duket pozitive. Por Zheljko Ivanoviç i së përditshmes “Vijesti” e di mirë se sa e vështirë është të ndryshosh.

Ai ka humbur disa makina në përleshjet gazetareske, është sulmuar disa herë dhe një gazetare e gazetës së tij ka hequr dorë nga profesioni pak muaj më parë për shkak të sulmeve verbale dhe fizike.

“Kjo është hera e parë që opozita ka një paraqitje më të menduar në krahasim me dhjetë vjet më parë. Është një risi me organizimin e opozitës ekzistuese në Frontin Demokratik dhe Mali i Zi Pozitiv, e që është një rast i mirë për të krijuar alternativa. Edhe këtu bëhet fjalë për votime në të cilat zakonisht votohet e keqja më e vogël”, shprehet Ivanoviç.

Edhe kësaj radhe lufta do të bëhet mes serbëve dhe malazezëve. Gjukanoviç ka krijuar megjithatë shtetin duke e pavarësuar nga Serbia. Dhe duke sjellë një identitet të ri malazez, ai është një nga njerëzit me karizmatik të Ballkanit dhe më të pasurit, siç thuhet.

“Këto janë zgjedhjet e para ku ekziston një ndryshim që nga komunizmi dhe Millosheviç, ku mund të votohet. Mali i Zi ka shoqëri konservative dhe në tërë historinë njëmijë-vjeçare, asnjë qeveri nuk ka ndryshuar në mënyrë demokratike, gjithnjë me kryengritje, puçe e protesta, pasi shumica e qeverive kanë qenë autoritare dhe diktatore. Por, tani mbase mund të ndryshohen kushtet. Megjithatë, opozita është organizuar vonë”, thotë më tej Ivanoviç.

Malazezët në javën e dytë të tetorit do t’i drejtohen kutive të votimit si qytetarë të një shteti kandidat për integrim në BE, të ndjekur me akuza korrupsioni, mafie dhe ngecje, e që megjithatë ka gjasa të bëhet pjesë e Evropës me shumë yje më shpejt se të gjitha vendet e mbetura jashtë mitrës Perëndimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA