Kosova është ende larg liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian për shkak të shumë kritereve të paplotësuara nga institucionet. Ky është një vlerësim i shoqërisë civile, përkatësisht Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Siguria e dokumenteve, kufiri shtetëror dhe menaxhimi i migracionit, rendi dhe siguria publike, si dhe të drejtat themelore në lidhje me lirinë e lëvizjes janë disa nga fushat ku institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë.

Në një publikim me titullin “Një matricë vlerësimi mbi arritjet dhe sfidat e Kosovës në përmbushjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, analistët Fisnik Korenica dhe Dren Doli thanë se, matrica është rezultat i një monitorimi disamujor të performancës së institucioneve të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga udhërrëfyesi.

“Analiza jonë në përgjithësi tregon se proçesi i liberalizimit të vizave në Kosovë duhet të jetë prioritet themelor i qeverisë dhe se qeveria duhet të rrisë dinamikën në zbatimin e kushteve, përndryshe Kosovës do t’i zgjatet edhe më shumë ky proçes kaq i rëndësishëm për qytetarët e vendit”, tha Korenica.

Sipas këtij studimi të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, plotësimi i objektivave nga institucionet e Kosovës variojnë nga blloku në bllok.

“Është e rëndësishme që të thuhet se Blloku 2 dhe Blloku 3, veçanërisht blloku mbi sigurinë publike dhe menaxhimin e kufirit shtetëror, mbeten blloqet ku Kosova ka shënuar progres shumë të ulët, në krahasim me blloqet tjera”, sqaroi Doli.

Në këtë drejtim është e rëndësishme të thuhet që Blloku 3, objektivat e të cilit kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka një vlerësim të ulët. Përsa i përket Bllokut 2, objektivat e të cilit lidhen me kontrollin e kufirit shtetëror dhe migracionit, ai është vlerësuar me notën më të dobët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA