Durrës, rriten të ardhurat nga turizmi

22/09/2012 00:00

6,5 milion euro më shumë janë derdhur nga Durrësi në arkën e shtetit
gjatë sezonit turistik të këtij viti, krahasuar me atë të një viti më
parë. Ky është rezultati i një fluksi në rritje të turistëve ditorë dhe
angazhimit të strukturave tatimore për të vjelë detyrimet përgjatë
sezonit të ngarkuar.

Vetëm për këtë sezon turistik, statistikat e Drejtorisë Rajonale te Tatimeve tregojnë se rajoni i Durrësit është vizituar nga rreth 3,5 milion turistë me qëndrim një ditor, të cilët kanë përfituar dhe nga shërbimet që ofrojnë operatorët ekonomikë.

Sezoni ka qenë i mbarë jo vetëm në të ardhura të vjela nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në zonën turistike, që është zgjeruar së shumti me masivizimin e plazheve të reja në zonat rurale, por edhe në cceljen e vendeve të reja të punës, që kanë ofruar punësim sezonal për 4500 punonjës të rinj. Drejtori i Tatimeve në Durrës shprehet se të ardhurat tatimore në sektorin e Hoteleri –Turizmit janë rritur me 15% në krahasim me sezonin 2011, ndonëse në këto të ardhura nuk janë përfshirë ato të siguruara nga turizmi familjar në zonë.

Top Channel