Deklarimi i të ardhurave

21/09/2012 00:00

Ndonëse afati që detyron individët deklarojnë pranë tatimeve të ardhura
tatimore po përfundon me shpejtësi, procesi duket se po ecën ngadalë.

Kur kanë mbetur edhe pak më shumë se dhjetë ditë nga mbyllja zyrtare e procesit, nga të dhënat paraprake rezulton se vetëm 1200 individë në gjithë vendin kanë tërhequr deklaratat tatimore nga të cilët kanë përfunduar dorëzimin 240 prej tyre.

Sipas ligjit, të gjithë individët që vitin e kaluar i kanë patur të ardhurat bruto, më të mëdha se 2 milionë lekë janë të detyruar të plotësojnë formularin e deklarimit dhe ta dorëzojnë atë tek tatimet. Dhe në shumën 2 milionë lekë nuk përfshihen vetëm të ardhurat nga paga, por edhe të ardhura që mund të vijnë nga burime të tjera si fitimet nga veprimtaria e biznesit të vogël, ato nga dhenia e një apartamenti me qera, fitimet nga dividenti, e drejta autorit etj.

Kjo është pjesa që ligji e detyron të deklarojë, pasi në rast të kundërt do të përballen me masa ndëshkimore të cilat variojnë nga gjoba deri në masa më të rënda. Por teorikisht deklarata tatimore mund të plotësohet nga cdo individ, edhe ata që i kanë të ardhurat më të ulëta se 2 milionë lekë në vit. Madje për një pjesë të individëve, atë që në një vit kanë të ardhura bruto më pak se 1 milionë e 50 mijë lekë, dorëzimi i deklaratës ka përfitime, pasi u jep mundësi të rimbursohen për tre zëra shpenzimesh, që janë shpenzimet për kontributet vullnetare në fondet e pensioneve apo sigurimi i jetës, shpenzimet që kanë paguar për interesat e një kredie të marrë për shkollim dhe në fund shpenzimet për mjekim për vetë ose antarët e familjes deri në 320 mijë lekë në vit.

Si plotesohet formulari, kush perfiton nga rimbursimi

Për shkak se është hera e parë që Qeveria detyron individët të deklarojnë të ardhurat vjetore, për shumë qytetarë mund të jetë e paqartë mënyra se si do të veprojnë apo plotësojnë formularin e deklarimit. Ky është formulari standard, që do të plotësojnë qytetarët.

Ai mund të gjendet në faqen zyrtare të ministrisë së financave apo mund të tërhiqet fizikisht pranë degëve tatimore. Faqja e parë përmban të dhënat identifikuese për individët, si emri i deklaruesit, adresa e tij, gjendja civile dhe të tjerë. Pjesa më e vështirë është faqja e dytë, ajo ku deklarohen të ardhurat. Në formular janë të shkruar të gjithë zërat e të ardhurave dhe në pjesën e djathtë të tij kutitë përkatëse ku individët do të deklarojnë shumën respektive të të ardhurave që kanë fituar gjatë vitit paraardhës për cdo zë të vecantë.  Në paragrafin e dytë deklarohen tre zërat e shpenzimeve të cilat njihen si të zbritshme, për të cilat qytetarët duhet të kenë ruajtur edhe faturat bashkëshoqëruese ne menyre qe ato te jene te vlefshme.

Shpenzimet e zbritshme njihen vetem per ata qytetare qe kane te ardhura vjetore nen 1 milione e 50 mije leke. Ne nendarjen e trete te formularit behet diferenca e te ardhurave totale dhe shpenzimeve te zbritshme, per te nxjerre shumen totale te te ardhurave te tatueshme, ndersa me poshte deklarohet tatimi qe eshte paguar sakaq gjate vitit paraardhes per secilin nga ze. Ne pjesen e fundit rakordohet shuma e të ardhurave të tatueshme me tatimin e paguar, nga ku del tatimi neto, i cili mund të jetë negativ nëse individi ka paguar më shumë dhe në këtë rast rimbursohet, ose pozitiv dhe në këtë rast individi duhet të paguajë pjesën shtesë. Plotësimi i formularit kompleks mund të jetë i vështirë për shumë individë. Por meqënëse është edhe hera e parë, qytetarët mund të plotësojnë atë pranë degëve tatimore ku do të kenë sipas Ministrisë së Financave edhe ndihmën e punonjësve të tatimeve.

Për këdo që ka mbi 2 milionë lekë. 30 shtatori afati i fundit

Shqiptarët duket se kanë neglizhuar në masë detyrimin ligjor për të deklaruar të ardhurat. Bëhet fjalë për ata që kanë mbi 2 milionë lekë të ardhura në vit. Sipas zyrës së tatimeve, janë vetëm 240 deklarime që janë dorëzuar nga rreth 1200 formularë të tërhequr.

Erion Prifti, drejtori i Shërbimeve të Tatim-Paguesve, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ka dhënë në një intervistë për Top Channel rekomandimet e duhura për qytetarët.

TCH: Cilët janë qytetarët që detyrohen nga ligji të deklarojnë të ardhurat?

Prifti: Nga ligji janë 3 kategori qytetarësh që duhet të bëjnë deklarimin e të ardhurave të mbledhura në vitet e fundit. Të parët janë rezidentët në Shqipëri, që kanë mbledhur të ardhura bruto mbi 2 milionë lekë të reja në mënyra të ndryshme si rroga, shpërblime, etj.

TCH: Kjo është hera e parë që Shqipëria aplikon deklarimin e të ardhurave personale dhe shumë qytetarë ndoshta druhen se mos kjo shoqërohet me rëndim të barrës fiskale. A do të ketë tatim shtesë për ata që deklarojnë?

Prifti:
Në të vërtetë nuk ka tatim shtesë, pasi ata tatohen mbi të ardhurat që kanë realizuar gjatë vitit 2011.

TCH: A ka përfitime për qytetarët që dorëzojnë deklaratën e të ardhurave tatimore dhe cilat grupe janë ato që përfitojnë?

Prifti: Individët që mund të mos i kenë të ardhurat mbi 2 milionë lekë, por 1.5 milionë lekë, mund të përfitojnë nga rimbursimi shpenzimet që ata kanë kryer, si shpenzimet për interesat e kredive, ato mjekësore, etj.

TCH:
Çfarë ndodh me ata qytetarë që duhet të përfitojnë rimbursimin sipas kritereve të ligjit, por që nuk kanë ruajtur faturat për ato shpenzime të zbritshme?

Prifti: Në rast se ata nuk i kanë ruajtur faturat e shpenzimeve, atëherë nuk kanë se si të përfitojnë sepse nuk vërtetojnë dot shpenzimet e tyre. Duhen ruajtur faturat.

TCH: Meqenëse kjo është hera e parë që bëhet deklarimi i të ardhurave personale, për shumë qytetarë plotësimi dhe dorëzimi i deklaratës në zyrat tatimore mund të jetë i vështirë. Si është menduar nga administrata të zgjidhet ky problem dhe çfarë ndodh me ata që nuk deklarojnë?

Prifti: Të gjithë ata që kanë detyrimin për të plotësuar deklaratën, nëse ka informacion të paplotë mund të drejtohen në zyrat tona për të marrë informacionin e duhur. Administrata është përgatitur për të përballuar të gjitha pyetjet që nuk kuptojnë individët. Mënyra më e lehtë është ajo online në ëeb site-n e Departamentit të Përgjithshëm të Tatimeve. Por nëse s’është e mundur kështu, atëherë individi do të ndihmohet nga inspektorët e tatimeve në zyrat tona në rrethe.

Top Channel