Miliarda lekë të humbura nga BSH-ja

19/09/2012 00:00

Banka e Shqipërisë, jo vetëm që ndjek politikën monetare, kontrollon
stabilitetin e çmimeve, apo mbikëqyr bankat e nivelit të dytë për
aktivitetin e tyre, por siguron të ardhura të ndryshme përmes huave. Në
vitin 2011, BSH derdhi në arkën e shtetit 5.7 miliardë lekë, ose 15 për
qind më shumë se në 2010-n, vit në të cilin banka bleu ish-hotel
“Dajtin”, për 4 miliardë lekë.

Ky fond derdhet si fitim i BSH-së, për aktivitetin e kryer, pasi janë zbritur shpenzimet. Viti 2010 konsiderohet nga statistikat si periudha më e errët e bankës sonë qendrore, pasi regjistron nivelin më të ulët të derdhjes së fitimit që prej 2001-shit.

Sipas Ministrisë së Financave, institucioni që menaxhon të ardhurat në arkën e shtetit, fitimet e BSH-së kanë rënë nga njëri vit në tjetrin. Kështu, në vitin 2001, banka derdhte në buxhet rreth 11 miliardë lekë, duke zënë kështu afro 7 për qind të totalit tek të ardhurat e shtetit. Ky ritëm fitimesh vijoi deri në vitin 2003, me 9 miliardë lekë të ardhura, duke mbajtur një peshë në totalin e të hyrave në buxhet, prej 6 përqindësh.

Viti 2004 dhe më tej rezulton si kthesa negative, pasi të ardhurat ranë direkt me 45 për qind (sikurse duket nga grafiku), duke arritur me rreth 5 miliardë lekë. Ky vit përkon me ardhjen në krye të Bankës së Shqipërisë të guvernatorit Ardian Fullani, i zgjedhur me rekomandim nga Kryeministri socialist i kohës, Fatos Nano.

Për fat të keq, në bilancet e BSH-së nuk gjen informacion mbi shkaqet e rënies së të ardhurave, sidomos në nivel kaq të lartë. Ritmi i derdhjes së fitimit në arkën e shtetit mbeti afër 5 miliardë lekë, përjashto vitin e krizës në 2009-n, kur qeveria siguroi nga BSH rreth 6.2 miliardë lekë të ardhura. Ndoshta kjo është shenjë e qartë, e cila tregon se kur qeveria, me anë të Kuvendit ka treguar vullnetin për të monitoruar shpenzimet e BSH-së ia ka dalë qëllimit, pasi pikërisht, në periudhën më të vështirë, BSH e rrit dozën e arkëtimit me 500 milionë lekë më shumë.

Paralelisht me uljen e derdhjes së fitimit në arkën e shqiptarëve (buxheti), BSH ka rritur tej mase shpenzimet, sidomos në dy vitet e fundit, me të paktën 40 për qind. Viti 2010 konsiderohet më negativi, pasi BSH ra poshtë kufirit historik nga viti 2001 e këtej, me 4.9 miliardë lekë. Kjo është periudha kur BSH bleu ish-hotel “Dajtin”, me kërkesë të Ministrisë së Financave, pasi vendi kishte nevoja për para.

Shpenzimet e BSH janë zbardhur ditët e fundit në media, ku bien në sy transferta të palogjikshme si për blerje, ashtu edhe për aktivitete, siç ishte turneu i volejbollit për femra, për të cilën u shpenzuan afro 300 mijë dollarë. Në emër të pavarësisë që i jep ligji i miratuar nga qeveria shqiptare, BSH ka pasur mundësi të luajë me hapësira të shumta, aq sa për një vit kalendarik shpenzon 1 milion dollarë për kreditë që u jep punonjësve të saj, me interes 0.5 për qind dhe me afat 30 vjet.

Për çdo vit financiar, fitimi neto i Bankës së Shqipërisë llogaritet pasi të zbriten nga të ardhurat shpenzimet e bëra për vitin financiar në fjalë dhe pas veçimeve për borxhe të dyshimta e pa shpresë arkëtimi, masa e zhvlerësimit të mjeteve në bilancin e Bankës së Shqipërisë, si dhe kontributi për fondet e pensionit të personelit; shpenzimet e miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës për qëllime të tjera që konsiderohen si të nevojshme për Bankën e Shqipërisë. “Gjithashtu, ligji ka krijuar edhe një kategori tjetër shpenzimesh, të cilat i lihen kompetencë Këshillit Mbikëqyrës për t’i miratuar dhe që vetë Banka e Shqipërisë i konsideron të nevojshme”, thotë një paragraf i ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Pikërisht kjo pjesë, si dhe shpenzimet e miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, (neni 7) për nevoja të bankës, konsiderohen të dyshimta dhe të ekzagjeruara në raport me nivelin ekonomik të popullsisë në vend.

Gazeta “Shqip”

Top Channel