Shkodër, shpallet dekreti i çkishërimit

18/09/2012 09:45

Metropolia e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës shpall të martën dekretin që çkishëron të gjithë katolikët shqiptarë që kryejnë vrasje apo marrin gjak.

Fenomeni i gjakmarrjes, i shtrirë më së shumti në zonat veriore të banuara nga shqiptarët katolikë, si dhe rritja e rasteve të vrasjeve për gjakmarrje, kanë sjellë reagimin ekstrem të Kishës Katolike.

Shpallja e dekretit do të bëhet gjatë pasdites, në orën 18.30 në kishën katedrale të qytetit të Shkodrës.

“Dekreti është për të gjithë ata që vrasin apo marrin gjak”, thuhet në njoftimin për shtyp, ku përmenden rastet e ndodhura së fundmi që nuk kanë kursyer as fëmijët.

Pak ditë më parë, një 49-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri pranë banesës së tij në fshatin Dukagjin të qarkut të Shkodrës. Autoritetet lokale njoftuan se viktima ishte shtetasi Marash Tonaj, ndërsa ne pranga perfundoi  34-vjeçarja Lena Pjolli, te ciles i eshte dhene masa e sigurise arrest me burg.

Lena Pjolli ka pranuar krimin e ndodhur javën e kaluar dhe është vetëdorëzuar në komisariatin e Shkodrës, ku ka deklaruar se e kishte kryer krimin për hakmarrje. Vëllai i Tonajt në vitin 2003 dyshohet se ka vrarë prindërit e 34-vjeçares. Nik Tonaj akuzohet për ekzekutimin me automatik të 63-vjeçarit Nikë Pjolli dhe bashkëshortes së tij Sula Pjolli, për një vijë uji.

Ndërsa në fund të muajit gusht, po në qytetin e Shkodrës, atë e bir u qëlluan me breshëri automatiku. Për pasojë mbeti i vdekur në vend 46-vjeçari Frederik Marku nga Mirdita, ndërsa i biri, 22-vjeçari Jurgen Marku mbeti i plagosur.

Si autori ashtu dhe viktima dy orë para ngjarjes kishin qënë të shoqëruar në polici për një grindje që kishin pasur një ditë më parë.

Një javë para kësaj ngjarjeje, në fshatin Bardhaj të rrethit të Shkodrës, dy vëllezër u qëlluan dhe njëri prej tyre ndërroi jetë, pas një prite në oborrin e shtëpisë, përsëri për arsye gjakmarrjeje.

Top Channel