Sarandë, aksidentohet vetura me nxënës

18/09/2012 00:00

Një autoveturë që transportonte nxënës shkolle në aksin Dërmish-Livadhja, në Sarandë, është aksidentuar duke lënë disa persona të lënduar.

Sipas informacioneve të fundit, autovetura është përplasur me një kamionçinë dhe për pasojë dyshohet se një person ka humbur jetën.

Ndërkohë, autoritetet lokale njoftojnë se nga aksidenti kanë mbetur të plagosur tre nxënës të shkollës fillore. Pas përplasjes autovetura me nxënës ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur.

Viktima dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit që u përplas me veturën e nxënësve, sugjerojnë informacionet paraprake që vijnë në redaksinë tonë.

Më herët gjatë ditës një aksident me pasojë vdekjen u regjistrua në qarkun e Korçës. Një person 68-vjeçar u godit nga një automjet në ecje e sipër.

Autoritetet lokale njoftuan se ngjarja kishte ndodhur në fshatin Tren dhe shtetasi Myrteza Bylykbashi ndërroi jetë pasi ishte shoqëruar në spital.

Burimet shtuan se autori i aksidentit u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por u identifikua nga forcat e policisë, të cilat u vunë në ndjekje të tij.

Një aksident i ngjashëm ndodhi mbrëmjen e së dielës në Elbasan, në aksin rrugor që lidh qytetin me Bradasheshin, pranë Metalurgjisë.

Mjeti me targa ‘EL6618B’, me drejtues shtetasin Abedin Hyseni aksidentoi për vdekje 40-vjeçarin Astrit Myrto, i cili ishte duke kaluar në anën tjetër të rrugës.

Burime zyrtare të policisë bënë me dije se Myrto gjeti vdekjen e mënjëhershme si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë në trup.

Po në Elbasan javën e kaluar një automjet i Gardës së Republikës që bënte pjesë në eskortën e presidentit të Republikës u aksidentua dhe për pasojë humbi jetën drejtuesi mjetit.

Top Channel