Fermerët shqiptarë do të mund të përfitojnë kredi më me lehtësi në sajë të marrëveshjes për kredi bujqësore në shumën 15 mln dollarë të nënshkruar nga USAID dhe bankat ProCredit e BKT.

Programi mbështet investimet në teknologji të reja, paketim dhe marketing për ndërmarrjet bujqësore të prodhimit të produkteve të qumështit, frutave dhe perimeve , bimëve mjekësore etj.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ambasadori Aleksandër Arvizu tha se kredidhënia tek fermerët shihet shpesh si e rrezikshme, por se për të shmangur këtë nevojiten reforma në sektorin  drejtësisë dhe gjykatave.  

“Fatkeqesisht kredidhënia kundrejt fermerëve shihet shpesh si e rrezikshme ndërsa mungesa e efikasitetit brenda sistemit ligjor dhe gjykatave në Shqipëri e bëjnë të vështirë dhe të kushtueshme mbledhjen e borxheve. Ndryshe nga vitet e shkuara, përqindja e kredive të këqija tanimë është rreth 20 përqind dhe kredidhënia në të gjithë sektorët e ekonomisë është ngadalësuar. Për të bërë të mundur rritjen e sektorit privat, Shqipëria duhet të mbështesë reformat në sektorin e drejtësisë dhe në gjykatat që krijojnë një mjedis biznesi transparent, të barabartë dhe të parashikueshëm”, deklaroi ambasadori Arvizu.

Ambasadori Arvizu beson se përmes kësaj marrëveshjeje fermerët që do të përfitojnë kredi do të mund të rrisin ndjeshëm aktivitetin e tyre duke rritur kështu numrin e të punësuarve.

Top Channel