Berisha inauguron një tjetër shkollë

17/09/2012 17:30

Kryeministri Sali Berisha inauguroi të hënën një tjetër shkolle të re, një investim prej 55 milionë lekësh nga buxheti i komunës së Kasharit, disa kilometra larg Tiranës.

E ndërtuar si një shkollë e standarteve të larta, me 350 nxënës që mësojnë në klasa dhe laboratore moderne, kjo shkollë dhe të tjera institucione arsimore publike dhe private janë për kryeminstrin Berisha shembull sesi një komunë e vogël është transformuar në një nga qendrat më të rëndësishme të biznesit dhe arsimit në vend.

Duke e konsideruar edukimin si shtyllën kryesore për zhvillimin e vendit, kryeministri Berisha theksoi se investimi për dijen është investimi më i mirë dhe afatgjatë që qeveria e tij ka bërë dhe do të bëjë për vendin.

Sipas tij, në dy mandate qeveria ka bërë të mundur ndërtimin dhe rindërtimin e 71 për qind të të gjitha shkollave të vendit, ndërsa në mandatin e tretë kryeministri Berisha premtoi përfundimin e të gjithë infrastrukturës mësimore dhe përfshirjen e internetit në çdo klasë.

Kryeministri Berisha drejtoi vëmendjen edhe tek politikat e qeverisë për të vlerësuar financiarisht mësuesit. Duke përmendur rritjen e pagave të arsimtarëve, kryeministri tha se ky ishte një nga premtimet më të vështira për t’u realizuar, por që sipas tij u bë e mundur që në krahasim me fillimin e vitit 2006, pagat të mbidyfishohen dhe raporti i pagës së një arsimtari me atë të kryeministrit të përgjysmohet.

Zoti Berisha premtoi se qeveria e tij do të vazhdojë ta këtë prioritet kryesor politikën e rritjes së pagave për mësuesit, në mënyre që ata të përmbushin me dinjitet misionin e tyre.

Top Channel