‘Albpetroli’, vjen garancia

17/09/2012 00:00

Ndonëse në heshtje të plotë dhe i mbyllur për publikun, procesi i vlerësimit të ofertave për shitjen e ‘Albpetrol’ vazhdon.

Top Channel ka mësuar se komisioni i vlerësimit të ofertave ka marrë zyrtarisht konfirmimin për garancinë e ofertës së renditur e para, ajo e konsorciumit ‘Vetro dhe Silk Roud Ekiti’. 10 për qind e çmimit të ofruar, që në këtë rast përkon me shifrën 85 milionë euro, janë ngrirë nga konsorciumi ‘Vetro dhe Silk Roud’ për llogari të Qeverisë shqiptare në një bankë amerikane në Chicago.

Konfirmimi i garancisë do të thotë se edhe në rast se konsorciumi tërhiqet nga oferta, Qeveria shqiptare ka tashmë të sigurta 85 milionë euro, të cilat shkojnë automatikisht në llogarinë e saj.

Në fakt në vendimin për kriteret e tenderit të ‘Albpetrol’, më saktësisht në pikën 4 fraksion 2 të tij, Qeveria kishte kushtëzuar që garancia financiare duhet të lëshohet sipas një formati të përcaktuar nga një prej 50 bankave kryesore në botë dhe se çdo ofertë që nuk respektonte këto kritere do të refuzohej si e pavlefshme. Por për shkak të shumës së madhe në lojë, prej 850 milionë eurosh qeveria duket se ka vendosur të mos e shpallë të pavlefshme menjehërë atë, edhe pse garancia është lëshuar nga një bankë lokale në Chicago.

‘Ameriken Chartered Bank’,  e cila është garantuesja, në vitin 2010 për nga asetet renditet e 230 vetëm në Shtetet e Bashkuara larg nga kriteri i vendosur në tender. Por përtej këtij ngërçi ligjor, të cilin Qeveria ka vendosur ta tejkalojë, tashmë që garancia është konfirmuar zyrtarisht, Komisioni i Ofertave po vazhdon verifikimin e dokumentave të tjerë të ofertuesve.

Burime konfidenciale thonë për Top Channel se gjithë procedura e vlerësimit mund të zgjasë edhe dy javë të tjera dhe më pas pritet të publikohet rezultati, i privatizimit të fundit strategjik, njëkohësisht dhe më i madhi i të gjitha kohërave në Shqipëri. Bleresi i ‘Albpetrol’ do te marre monopolin e te drejtave te naftes ne Shqiperi, me te drejtat per nentoken dhe mbitoken.

Top Channel