ERE gjobit CEZ 4.3 milionë USD

15/09/2012 00:00

Enti Rregullator i Energjisë ka gjobitur me 4.3 milionë dollarë
kompaninë CEZ për mospërmbushje të detyrimit ligjor për të importuar
energji.

Sipas vendimit të zbardhur në faqen zyrtare të ERE-s, CEZ gjobitet ne masën 1 % te te ardhurave  vjetore te vitit paraardhës, ose 430 milione leke, per mosprokurimin e energjise elektrike per mbulimin humbjeve.
 Një javë më parë kompania ceke ju drejtua zyrtarisht Entit Rregullator, ku bënte të ditur se nuk mund të vazhdon te dot më importet, për shkak të gjendjes së vështirë financiare. Sipas CEZ-it kjo situatë lidhet me një sërë ngjarjesh të pafavorshme për të, mes të cilave edhe marrja e një gjobe të madhe, rreth 3 miliardë lekë, sipas saj të padrejtë nga administrata tatimore.

Gjoba e fundit nga Enti është e dyta brenda pak kohësh për kompaninë ceke dhe parlajmëron një situatë edhe më të vështirë për financat e saj. Por ky nuk është problemi i vetëm financiar për kompaninë që ka monopolin e shpërndarjes së energjisë. Në mbledhjen e fundit Enti Rregullator i ka refuzuar asaj edhe lejen për të marrë një kredi nga BERZH.

Në fakt kredia është nënshkruar që vitin e kaluar dhe parashikon marrjen e një borxhi prej 100 milionë euro nga CEZ. Gjysma e shumës është disbursuar tashmë, pasi u garantua nga kompania mëmë në Pragë, ndërsa për gjysmën tjetër CEZ, i kërkoi Entit ta lejonte që të vinte si garanci asetet e saj në sistemin energjetik shqiptar. Pikërisht kjo kërkesë është refuzuar nga ERE.

Burime zyrtare nga Enti thanë për Top Channel se nuk mund të lejojnë vendosjen peng të aseteve ekzistuese të sistemit energjetik shqiptar, pasi ky do të ishte rrezik. Sipas këtyre burimeve, Enti do të pranonte ta shqyrtonte kërkesën vetëm nëse CEZ do të vendoste si garanci investimet e reja që do financohen me këto fonde.

Gjoba e ERE, reagon CEZ

Menjëherë pas publikimit të vendimit nga Enti Rregullator për gjobën ka reaguar kompania CEZ.
Përmes një deklarate zyrtare, kompania ceke sqaron se përfaqësuesit e saj kanë qenë pjesmarrës në mbledhjen gjate se ciles është diskutuar për gjobën.

Por siç bën të ditur CEZ, vetëm dje është njoftuar zyrtarisht nga Enti në lidhje me këtë vendim, i cili po shqyrtohet nga kompania. Në lidhje me vendimin për refuzimin e kredisë me BERZH, CEZ deklaron se, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga ERE ndaj dhe nuk mund te komentoje mbi këtë çështje.

Top Channel