Fasonët: Jemi në vështirësi

13/09/2012 00:00

Shteti shqiptar nuk është duke treguar rëndësinë e duhur per sektorin e
fasonëve. Ky ishte mesazhi qe përballi kreu opozitës Edi Rama gjatë
vizitës në një rrobaqepësi, në afërsi të rrugës ‘5 Maji’ në Tiranë.

Florian Zekaj prej vitesh menaxhon këtë rrobaqepësi. Ai rendit një sërë problemesh me të cilat është duke u përballur ky sektor veçanërisht shkurtimin e vendeve të punës.

“Ka shkurtime të vendeve të punës. Këtë vit kemi patur shumë vështirësi. Ne na u premtua heqja e TVSH-së për pajisjet dhe nuk është aplikuar ende”, tha Zelaj.

Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me Bordin Drejtues të Shoqatës së Fasonëve, të cilët u shprehen se u mungon ndihma e shtetit dhe se ky sektor duhet të transformohet nëpërmjet politikave konkrete. Kryesocialisti Rama, kërkoi nga shoqata e Fasonëve të hartojnë sygjerimet për pasjen e një vizioni të qartë për këtë sektor.

“Humbja e 30 mijë vendeve pune në 4 muaj është një gjë shokuese ndërkohë që fakti se kjo humbje mund të evitohet, duke ju mbështetur juve. Është e domosdoshme të kemi një plan të qartë ku nga njëra anë ta konsiderojmë sektorin si instrument jo i fitimit tuaj, por i përfitimit të vetë shtetit. Ne kemi kalkuluar që në rast se ne në katër vjet investojmë për nxitjen e një prodhimi vendas ku përfshihet ky sektor 12 miliardë ne përfitojmë 51,000 vende pune dhe 18 miliardë taksa për shtetin në këmbim”, tha Rama.

Top Channel