Lirimi i banesave të ish-pronarëve

10/09/2012 00:00

Akti normativ i qeverisë për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, është dikskutuar në komisionin parlamentar të integrimit, meqenëse problematika e pronave është një prej 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Europian.

Ministri i Transporteve Sokol Olldashi tha se janë 3157 banesa të okupuara nga persona të pastrehë, të cilët duhet t’i lënë ato. Akti normativ thotë se banorëve të tyre u është vënë në dispozicion që katër vjet më parë një kredi me interes zero për 30 vjet, por ata nuk kanë dashur të bëhen pjesë e këtij proçesi në tërheqjen e kredisë.

“Ky është hapi i fundit që synon zgjidhjen e një kontigjenti të madh, atë të përdoruesve të apartamenteve që kanë qenë pronë private dhe që përmes proçeseve gjyqësore u janë kthyer pronarëve të ligjshëm”, deklaroi Olldashi.

Deputetët e maxhorancës dhe opozitës i kanë drejtuar një sërë pyetjesh zotit Olldashi në lidhje me aktin normativ. Duke parë problematikën e kësaj çështjeje, deputetët e opozitës në komisionin e integrimit kërkuan që qeveria të heqë dorë nga akti normativ dhe t’i hapë rrugën miratimit të një projektligji të detajuar.

“Ne nuk mund të votojmë një akt ku ju na keni përjashtuar nga e drejta e fjalës dhe e drejta për të kontribuar në zgjidhjen e këtij problemi. Tërhiqni aktin normativ, tërhiqni projektligjin dhe ne jemi të gatshëm për ta dhënë kontributin tonë”, deklaroi deputeti Taulant Balla.

Miratohet akti normativ

Komisioni i ekonomisë miratoi me votat e maxhorancës aktin normativ “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”.

Sipas këtij akti, qytetarët që janë strehuar në banesat e shpronësuara mund të përfitojnë kredi me interes zero.
Rreth 3200 banesa, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, do t’u lirohen pronarëve të ligjshëm të këtyre shtëpive.

Deputetët e opozitës në komision kundërshtuan alternativën e qeverisë pasi sipas tyre ajo nuk zgjidh çështjen e qytetarëve që dalin nga banesat, ndërsa shprehën rezerva edhe për afatin dymujor për aplikimin për kredi.

Top Channel