Tepelenë, në pranga zjarrvënësi

08/09/2012 00:00

Pas djegies së rreth 100 hektarëve pyll e kullotë, si dhe 400 rrënjë
ullinj qe u dogjen nje dite me pare në Tepelenë, policia ka arrestuar
autorin e zjarrit, 50-vjeçarin Tahir Llaka, nga fshati Kalivaç i
Tepelenë.

Llaka, mesditen e se premtes në vendin e quajtur “Vreshtas”, në afërsi të fshatit Kalivaç të komunës Krahës i ka vënë zjarrin kullotës. Për shkak të erës së fortë zjarri i ka dalë nga kontrolli, duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe duke djegur rreth 100 hektarë pyll e kullotë. Zjarri ka përfshirë disa parcela të mbjella me ullinj, pronë e banorëve të fshatit Kamçisht të komunës Qesort, Tepelenë, ku nga zjarri janë djegur rreth 400 rrënjë ullinj.

Si pasojë e erës, zjarri ka rrezikuar edhe disa parcela të tjera me ullinj dhe i është afruar banesave të fshatit Kalivaç, po falë ndërhyrjes së zjarrfikëses, të punonjësve të policisë Tepelenë dhe banorëve të fshatit, zjarri është vënë nën kontroll. Pas hetimeve, policia ka bërë arrestimin e Tahir Llakës, i cili akuzohet për veprën penale të “Shkatërrimit të Pronës me zjarr”.

Top Channel